E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e ciftit, dyshime per vetehelmim

Tomorr Rrumbullaku dhe e dashura e tij, Djana Xibraku vdesin në rrethana të mistershme në një lokal në Golem të Kavajës Të dashurit vdesin nga vera franceze 54-vjeçari e kishte marrë verën me vete. Dyshime për lëndë toksike, të hedhur në shishen e verës  DURRËS- Një çift ka humbur jetën në rrethana ende të mistershme, teksa po drekonte në një lokal peshku në Golem të Kavajës. Tomorr Rrumbullaku, 54-vjeç, me origjinë nga Përmeti dhe e dashura e tij, Djana Xibraku, 44-vjeçe, nga Tirana kishin zgjedhur një lokal në kodër të Golemit për të kaluar fundjavën. Të dy janë futur në lokal, pasi kanë parkuar automjetin e tyre të tipit “Benz” në parking dhe kanë zgjedhur tavolinën e tyre, ku uleshin zakonisht. Vetëm pak minuta më vonë, ajo çka pritej të ishte një drekë e këndshme fundjave, larg të njohurve u kthye në një tragjedi, në restorantin "Ertil Sadati" në Kavajë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, ata ishin ulur në lokal rreth orës 11.00 të ditës së djeshme, ku kishin porositur peshk, sallatra të ndryshme dhe si fillim kishin pirë nga një birrë. Por situata është rënduar në momentin që Tomorr Rrumbullaku ka nxjerrë mbi tavolinë një shishe verë franceze. E para ka humbur ndjenjat Djana Xibraku. Ajo është ndihmuar nga punonjësit e lokalit, por pak minuta më vonë është rënduar edhe gjendja e të dashurit të saj. Ata kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit, ende pa mbërritur në spitalin e Durrësit. Vdekja e dyfishtë në Kavajë ka alarmuar policinë, Mjekësinë Ligjore dhe Institutin e Shëndetit Publik. Pasi janë njoftuar për vdekjet e njëpasnjëshme, punonjësit e policisë së Kavajës kanë zbarkuar në lokalin buzë detit, ku kanë sekuestruar gjithçka kishin ngrënë Rrumbullaku dhe Xibraku. Më pas kanë shoqëruar në mjediset e komisariatit pronarin e lokalit, Sedat Veliun si dhe kanë marrë në pyetje gjithë personat që iu kishin shërbyer viktimave. Zyrtarë të policisë së Kavajës pohuan mbrëmë për “Shekullin” se sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja ka ardhur nga një helmim akut prej verës. “Pasi pyetëm dëshmitarët në vendngjarje mësuam se dy viktimat ishin klientë të lokalit prej 4- vitesh. Por dje, Tomorr Rrumbullaku e kishte sjellë me vete verën, një “Kabërnet” francez, prej së cilës mendojmë se janë helmuar”,-pohuan burime nga grupi hetimor i ngjarjes. Për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen e djeshme kanë ndihmuar edhe ekspertët e ISHP-së dhe të Mjeksisë Ligjore. Helmimi i menjëhershëm dhe me pasoja tragjike nuk i përngjan simptomave të zakonshme që shkaktojnë ushqimet e prishura, ndaj në fokusin e hetimeve është vendosur shishja e verës, që 54-vjeçari kishte marrë me vete, për të gostitur të dashurën e tij. Dyshimet më të mëdha janë për hedhjen e ndonjë lënde të fortë toksike në verë, por kjo pistë hetimi mbetet e pasqaruar, përsa kohë nuk është bërë ekspertiza e verës. “Ne kemi sekuestruar shishen me verë, si edhe kampione të ushqimeve të tjera që kanë konsumuar viktimat. Ekspertiza do të përcaktojë shkakun e vërtetë të helmimit”,-shtojnë hetuesit e çështjes. Ndërkohë, viktimat kanë qëndruar deri pasditen e djeshme në morgun e qytetit të Durrësit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, që vërtetoi dyshimet për vdekjen e shkaktuar nga helmimi. Më pas, trupat pa jetë janë marrë në morg nga të afërmit e viktimave. Tomorr Rrumbullaku punonte prej kohësh si shofer në një agjenci të shërbimit postar, ndërsa ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Lidhja jashtë martese me Diana Xibrakun kishte filluar 4 vite më pas, ndërkohë që gruaja 44-vjeçare ishte e pamartuar. Gëzim Veliu, nipi i pronarit të lokalit rrëfen ngjarjen tragjike. “ E frekuentonin shpesh lokalin, i ndihmuam për t’i çuar në spital” “Tomi e hodhi shishen plot me verë në koshin e plehrave” DURRËS- Në lokal është përhapur ankthi i dy vdekjeve të njëpasnjëshme. Pronari Sedat Veliu është marrë nga policia për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, por nipi i tij dhe punonjësit e tjerë të lokalit këmbëngulin që vdekja e dyfishtë ka ardhur nga vera. “Dy viktimat e kanë frekuentuar shpesh lokalin tonë. Gjithçka që iu kemi servirur ka qenë e freskët, por na lë shumë për të dyshuar vera e sjellë me vete nga klienti”,-pohon njëri prej punonjësve. Ndërsa nipi i pronarit të lokalit, Gëzim Veliu, pranon të rrëfejë ngjarjen e ndodhur aty. “ Ata porositën peshk merluc, sallatë peshku dhe në fillim morën nga një birrë prej lokalit. Më pas nxorrën në tavolinë shishen e verës, të cilën filluan ta pinë”,-tregon Veliu. Sipas tij, shenjat e para të helmimit filluan ende pa mbaruar gotën e parë të verës, çka solli edhe alarmimin e gjithë punonjësve të lokalit. “E para që u ndje keq ishte gruaja. Ajo ka pasur shenja të tilla si marrje mendsh, zverdhje dhe dobësim krejt të papritur. E ndihmuam që të shkonte në banjë, por pak më vonë kemi parë se burri që e shoqëronte, Tomi Rrumbullaku, e mori shishen e verës, e cila sapo ishte nisur dhe e hodhi në një kosh plehrash që ndodhej aty pranë",-tregon Gëzim Veliu. Sipas dëshmisë së tij, burri ka shfaqur të njëjtat shenja pak më vonë, pasi kishte flakur shishen e verës. Pronari i lokalit, Veliu i ka ndihmuar të dy të shkojnë deri tek makina e Tomorrit, e cila është drejtuar deri në spitalin e Durrësit nga një pronar tjetër lokali, që ndodhej aty pranë, me emrin Ferdinand. “Siç dëgjuam, gruaja kishte ndërruar jetë që në hyrje të qytetit të Durrësit, pa mbërritur ende në spital. Ndërsa burri ka vdekur në hyrje të spitalit. Ka qenë e pamundur për mjekët e spitalit të Durrësit, që të bëjnë diçka për të shpëtuar jetët e tyre”,-mësojmë më tej në lokalin ku ndodhi helmimi. Të njëjtin version me punonjësit e tij ka dhënë në polici edhe pronari i lokalit, Sedat Veliu. Ai ka pohuar se e njihte çiftin, pasi ishin klientë të rregullt prej katër vitesh, ndërsa ka dhënë garanci se produktet e peshkut që ata kanë konsumuar, kanë qenë të freskëta. E dyshimtë për të ka qenë shishja e verës së sjellë në lokal nga Tomorri, por edhe veprimi i tij për flakjen e shishes në plehra, sapo ka parë që shoqëruesja e vet po ndjehej keq. Megjithatë, pronari i lokalit ka pohuar se viktimat kanë drekuar si zakonisht, të qetë dhe nuk kanë shfaqur asnjë shenjë acarimi mes tyre. Dëshmia e pronarit dhe e dëshmitarëve të tjerë në vendngjarje janë regjistruar në dosje, ndërsa mësohet se për t’i dhënë udhë hetimit të kësaj ngjarjeje pritet përfundimi i analizave të verës, në Laboratorin Kriminalistik në Tiranë. Llambi Kallço REAGIMI Vëllai i viktimës: Nuk kishim dijeni për lidhjen DURRËS- “Nuk kemi pasur dijeni se ku ka qenë sot Tomi, sikurse nuk dinim asgjë për lidhjen e tij me ndonjë grua”. Kështu ka pohuar dje në morgun e spitalit të Durrësit vëllai i Tomorr Rrumbullakut, teksa po priste së bashku me familjarë të tjerë për të marrë trupin. Situata në morg është përkeqësuar kur ka mbërritur aty bashkëshortja e tij, e cila ka vënë kujën duke shkaktuar një gjendje edhe më të rëndë. Familjarët e dy viktimave e kanë pasur të vështirë të flasin për ngjarjen, që duket se i ka shokuar të dyja palët, por edhe ka nxjerrë zbuluar një lidhje të jashtëligjshme dashurie. Të afërmit e 54-vjeçarit Rrumbullaku ishin informuar se i afërmi i tyre kishte humbur jetën në një aksident të ndodhur dje paradite në autostradë, lajm të cilin e kishin marrë nga mediat. Pasi kanë mbërritur në spitalin e Durrësit, ata kanë mësuar se vdekja ka ardhur si pasojë e helmimit. Ll. Kallço HETIMI Për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë tragjike është ngritur grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë me ekspertë kriminalistë, ekspertë nga Instituti i Policisë Shkencore, ekspertë nga Mjekësia Ligjore, Specialistë nga Instituti i Shëndetit Publik Tiranë. KONTROLLI ISHP: Helmimi, një rast i pazakontë TIRANË- “Një rast i pazakontë helmimi dhe shumë i çuditshëm”. Kështu e ka cilësuar ngjarjen e djeshme, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. I pyetur nga “Shekulli” për konkluzionet e inspektimit të bërë dje në Kavajë, Ylli u përgjigj se: “janë marrë mostrat e ushqimit dhe të verës, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës dhe analizave laboratorike”. Ai ka shtuar se përgjigjet, të cilat mund të zbardhin enigmën e helmimit të çiftit pritet të dalin sot. Për hetimin e kësaj ngjarjeje, drejt Kavajës ka shkuar edhe një grup ekspertësh nga ISHP, por më shumë sesa një çështje helmimi prej ushqimesh, ngjarja është cilësuar prej tyre si një çështje kriminale. “Nga verifikimet e para kemi konstatuar se kjo duket më shumë si një çështje që i takon për t’u vlerësuar më tej nga Mjekësia Ligjore”,-shtoi mbrëmë Alban Ylli për “Shekullin”. Edhe për ISHP-në, nuk mund të arrihet në një përfundim të qartë, pa pasur më parë në dorë analizat e ushqimeve dhe verës së konsumuar në drekën e fundit të Tomorr Rrumbullakut dhe Djana Xibrakut, në një lokal buzë detit në Golem të Kavajës. Policia dyshon se Tomorr Rrumbullaku mund të ketë pasur dijeni se vera ishte e helmuar Pista shokuese, vetëhelmim i qëllimshëm nga 54-vjeçari DURRËS- Një vetëhelmim, po aq i mistershëm dhe i pashpjegueshëm sa edhe lënda toksike duket se ka zënë vend në krye të pistave të ngritura nga policia e Kavajës, për hetimin e kësaj ngjarjeje. Shkak për këtë dyshim kanë qenë dëshmitë e punonjësve të lokalit, të cilët kanë vëzhguar me vëmendje sjelljen e Tomorr Rrumbullakut, pasi partnerja e tij ka filluar të humbasë ndjenjat. “Dëshmitë në vendngjarje na kanë treguar se 54-vjeçari është treguar i kujdesshëm për të pirë verën e sjellë vetë, pas dy birrave të porositura nga lokali. Ndërsa në momentin që të gjithë po merreshin me Djana Xibrakun, ai e ka marrë me vete shishen thuajse plot të verës dhe e ka hedhur në një kosh plehrash, në oborrin e lokalit”,-bënë me dije burime nga grupi hetimor. Kjo sjellje e Rrumbullakut ka sjellë dyshime se ai mund të ketë pasur dijeni për verën e helmuar, ndërsa mbetet ende i pashpjegueshëm motivi i ndonjë helmimi të qëllimshëm të vetes dhe të dashurës së tij. Megjithatë, kjo është vetëm një pistë hetimore, ende e paverifikuar. Zyrtarë të policisë së Kavajës pohuan mbrëmë se në koshin e plehrave kanë gjetur dhe sekuestruar shishen e verës, brenda së cilës kishte ngelur vetëm një gisht. Ndërsa misteri pritet të zgjidhet vetëm pasi ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës të kenë në duar analizat e lëndës që ndodhej në atë shishe. “Nga natyra e helmimit, dyshohet se brenda shishes mund të jetë hedhur lëndë e fortë toksike. Megjithatë, kjo mbetet për t’u thënë vetëm pas përfundimit të analizave. Nuk përjashtohet as helmimi aksidental, edhe pse simptomat kanë qenë të shpejta dhe fatale për të dy viktimat”,-shtojnë hetuesit e çështjes. Zbardhja e kësaj ngjarjeje është komplikuar edhe nga lidhja e fshehtë që kishin prej kohësh dy viktimat me njëra-tjetrën, ndërkohë që pritet të ushtrohet një kontroll në banesën e Tomorr Rrumbullakut, që ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, për të parë nëse ndodhen shishe të tjera vere të ngjashme e për të bërë krahasimin. Llambi Kallço Zëdhënëse Alma Katragjni Zëdhënëse Alma Katragjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›