Zgjedhjet, opozita unifikon qëndrimin, ja propozimet
Një ndër kërkesat, është që në 2009 të votohet vetëm me Karta Identiteti ose pasaporta
TIRANË- Opozita unifikon qëndrimin e saj për reformën zgjedhore. Megjithëse jo në mënyrë të detajuar, krerët opozitarë, në takimin e tyre të parë për vitin 2008, kanë rënë dakord parimisht për disa nga çështjet kryesore të cilat duhet të synojë reforma në sistemin elektoral shqiptar. Kreu i PS-së, Edi Rama, ai i LSI-së, Ilir Meta, kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi dhe ai i PAD-së, Neritan Ceka, (ai i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, nuk mori pjesë për shkak të një aktiviteti partiak) pavarësisht dallimeve që kanë shprehur gjatë ditëve të fundit për pika të ndryshme të kësaj çështjeje, dje kanë rakorduar deri diku qëndrimet e tyre, për të realizuar një reformë që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu, është rënë dakord që të kërkohet një sistem zgjedhor i përafërt me atë gjerman, ku të kandidohet edhe me kandidat në mazhoritar dhe si parti në proporcional. Natyrisht përkrahja e një sistemi të tillë, sipas të majtëve duhet të shoqërohet me domosdoshmëri dhe me një votë të unifikuar, pra, atë midis kandidatit dhe partisë. Kjo për krerët e opozitës do të sjellë eliminimin e mundësisë për shfrytëzimin e skemave të tilla zgjedhore që do të devijonin vullnetin e votuesve, siç është dhe rasti i "Dushkut". Gjithashtu një tjetër pikë, për të cilin kanë rënë dakord kryetarët e partive opozitare, është edhe ajo për të mos kërkuar ndryshim të pragut elektoral, pavarësisht disa vërejtjeve që janë shprehur nga LSI, e cila në vazhdimësi ka kërkuar një prag më të lartë sesa nga është sot, pra se 2.5 për qindëshi. Tepër i rëndësishëm për tryezën e koalicionit të majtë është edhe vendimi për të kërkuar sanksionimin në ligjin zgjedhor të një neni të veçantë, sipas të cilit, nuk do të lejohet të votohet përveçse me Karta Identiteti dhe pasaporta. "Gjithë interesi ynë është që të sigurohet në radhë të parë një ambient i përshtatshëm për evitimin e manipulimeve, pra, që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me dokumente identiteti ose pasaporta dhe në mënyrë absolute të përjashtohen dokumentet e tjerë",- tha në emër të kësaj tryeze kreu aleancist, Neritan Ceka. Aleatët e majtë kanë rënë dakord që të kërkojnë gjithashtu dhe zgjedhje me lista zgjedhësish, që burojnë vetëm nga Regjistri Themeltar i Shtetasve. "Bazë për listat zgjedhore duhet të jetë Regjistri Themeltar i Shtetasve, i cili është një detyrim i kahershëm jo vetëm i kësaj qeverie, por edhe i qeverive të mëparshme dhe komisioni për reformën zgjedhore, mundësisht brenda muajit shkurt, duhet të hartojë formulimet ligjore të reformës",- u shpreh pas takimit Ceka. Por pavarësisht këtij konsensusi të arritur për çështjet e sipërpërmendura, burime pranë tryezës bëjnë të ditur se takimi i djeshëm ka pasur dhe debate, kryesisht për çështjen e listave të kandidatëve dhe atë të sistemit. Kështu mësohet se ka qenë krye-aleancisti, Neritan Ceka ai që ka këmbëngulur në kërkesën për të konkurruar me lista të hapura kandidatësh. Megjithatë, kjo çështje është lënë të diskutohet nga ekspertët dhe të bëhet pjesë e diskutimeve të Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.
"Është rënë dakord që të kërkohet një sistem zgjedhor i përafërt me atë gjerman, ku të kandidohet edhe me kandidatë në mazhoritar dhe si parti në proporcional. Natyrisht, përkrahja e një sistemi të tillë, sipas të majtëve duhet të shoqërohet me domosdoshmëri dhe me një votë të unifikuar, pra, atë midis kandidatit dhe partisë".