Dule: Bollano të vazhdojë punën, çështja do të ndiqet më tej
“Bollano duhet të vazhdojë punën, sepse është votuar nga populli”. Ky është qëndrimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pas kërkesave për dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Duke folur për “standard”, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha se kjo parti nuk ka lëvizur qëndrim nga reagimi publik që bëri pak ditë më parë dhe se i ka sugjeruar kryetarit të Bashkisë së Himarës që të vazhdojë detyrën. Dule tha se kjo çështje do të vazhdojë më tej, jo vetëm në Gjykatën e Apelit, por në të gjitha mundësitë që parashikon ligj për t’u mbrojtur. “I kemi sugjeruar jo vetëm ne, por edhe populli i Himarës, që e ka mandatuar në mënyrë bindëse, që të vazhdojë punën e tij si kryetar bashkie në ndihmë të komunitetit. Zoti Bollano ka marrë një mbështetje dërmuese nga populli i Himarës”, - tha Dule. Duke folur më tej për këtë çështje, Dule tha se Bollano do të vazhdojë të ndjekë çështjen. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mendon, - tha Dule, - se i takon zotit Bollano që të vazhdojë të ndjekë këtë çështje deri në hapat më të fundit, deri në shkallët më të larta të gjykatës”.
I pyetur në lidhje me reagimet politike, në veçanti për reagimin e Kryeministrit Sali Berisha, Dule tha se reagimi i Kryeministrit ishte korrekt dhe civil. “E konsideroj se një reagim pozitiv”, - tha Dule, duke shtuar: “E konsideroj kështu, pasi një gjë të tillë do ta bënte çdo njeri civil në këtë vend. Reagimi i Kryeministrit ishte në krahun e duhur dhe civil”.
Njëkohësisht, kreu i Bashkisë së Himarës ka folur për mediat greke. Në prononcimet e tij, Bollano përjashton çdo përfshirje të qeverisë shqiptare në këtë çështje. Bollano ka thënë se vendimi për dënimin e tij ka ardhur nga njerëz të caktuar që u janë prishur interesat e paligjshme në bregdetin shqiptar. Kryetari i bashkisë, Bollano, është shprehur më tej se gjatë viteve të fundit, qeveria shqiptare ka shtuar ndjeshëm investimet në zonën e bregdetit.
Reagimet për dënimin me 6 muaj burg të kreut të Bashkisë së Hiramës nuk kanë munguar nga politika. Në të njëjtën ditë që u dha vendimi, Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si politik vendimin e Gjykatës së Vlorës për dënimin e Bollanos. Sipas Berishës, interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit. “Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, - thuhej në reagimin zyrtar të Kryeministrisë.
Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Vlorës shpalli fajtor kryebashkiakun e Himarës pas akuzave të prokurorisë, për heqjen e tabelave në rrugën Qeparo-Llogora, kur vetëm pas pak ditësh, në Shqipëri do të vijë për një vizitë zyrtare Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis. Bollano u dënua me 6 muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë, si dhe i hiqet për 3 vjet e drejta e funksioneve publike. Vetë Bollano deklaroi se këtë çështje do ta ndjekë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje po të jetë e nevojshme, deri në Gjykatën e Strasburgut.
Gjyqtari i çështjes refuzon të komentojë vendimin
Gjykata e Vlorës shpalli fajtor kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, për heqjen e tabelave në rrugën Qeparo-Llogora, por gjyqtari i çështjes nuk pranon të komentojë vendimin e tij. I kontaktuar dje nga gazeta, gjyqtari Shkëlzen Selimi, i cili dha vendimin, nuk pranoi të komentonte dënimin e Bollanos. Gjyqtari nuk preferoi të komentonte dhe mbronte vendimin e tij për të dënuar kryetarin e Bashkisë Himarë. Por vetëm pak orë pas vendimit të Gjykatës së Vlorës, reaguan mbështetësit e Bollanos, duke e cilësuar vendimin të dhënë nga një gjykatë jo e pavarur. Kryetari i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, e cilësoi vendimin si peng të së shkuarës. “Gjyqësori na mban peng të së shkuarës. Këto vendime nuk i gjen në BE”, - tha Dule, duke shtuar se Bollano ka zbatuar ligjet.
Pikëpyetjet e një aktgjykimi ose standarde të dyfishta të Prokurorisë
Aktgjykimi i Gjykatës së Vlorës në çështjen e sinjalistikës turistike dhe kulturore në bregdetin e Jonit ngriti më shumë pyetje në vend që të ofronte zgjidhje. Gjykata do të duhej të jepte zgjidhje për interesin publik. Në ketë rast, për fat të keq, aktgjykimi nuk i vlen publikut dhe nuk zgjidh problemin. Ai shërben veç për të shfryrë epshin politik të disa hallexhinjve që nuk kanë tjetër me ç’të merren. Gjykata në përfundim dënoi kryetarin e bashkisë me burg dhe gjobë, gjë që pak i hyn në xhep qytetarit, ndërsa nuk u shpreh për interesin publik të drejtpërdrejtë, pra a duhen vendosur apo jo tabelat e hequra të sinjalistikës turistike dhe kulturore.
Për këtë arsye aktgjykimi, ndonëse mund të ketë bazë ligjore, tingëllon shumë tendencioz dhe deri diku pa lidhje. Sipas parimit “dyshimi shkon në benefit të të akuzuarit” (“benefit of the doubt”) gjykata duhej të kishte peshuar pretendimet ligjore përkatëse. Përpara gjykatës ishin dy ligje: Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë dhe Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit të Qeverisjes Vendore. Kryetari i bashkisë hoqi tabelat (dhe i magazinoi në mjediset e Bashkisë Himarë), pasi argumentoi që e ka këtë të drejtë sipas Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit të Qeverisjes Vendore. Pavarësisht nga emocionet dhe duke mundësuar “benefit of the doubt”, gjykata mund të shprehej qartë se cili ligj prevalon dhe t’i kërkonte kryetarit të rivendoste me shpenzimet e veta sinjalistikën brenda një periudhe kohore të shpejtë. Deri diku mund të kuptohej dhe ndonjë dënim simbolik në të holla për shkak se kryetari i bashkisë nëse kishte pikëpyetje duhet ta kishte sjellë çështjen në gjyq pa i hequr tabelat turistike-kulturore nga vendi. Vetëm nëse kryetari i bashkisë do të refuzonte t’i bindej aktgjykimit të gjykatës, atëherë do të kishim të bënim me një vepër penale.
Pra, gjykata, duke dalë mbi palët do të duhej të kishte rol sqarues mbi ligjin që duhet zbatuar kur ka pikëpyetje apo paqartësi dhe jo të japë miellin me të cilin gatuhet buka e përditshme e politikës. Për fat të keq ky aktgjykim do të çojë në ankimime gjyqësore të kota dhe të gjata, duke mos i dhënë zgjidhje interesit publik, pasi askush nuk di të thotë a do të vendosen tabelat apo do të vijojë shfaqja politike.
Për krahasim, mund të shohim se në kontrast me Himarën, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shumë herë më tepër shpërdorim detyre dhe të kryer haptazi në shkelje të ligjit. P.sh., mjafton të shohësh pse mbahet peng prej vitesh plani rregullues i qytetit apo dhënia e lejeve të ndërtimit mbi rrugë publike apo në sipërfaqe të gjelbra të cilat janë në kundërshtim të hapur qoftë dhe me draft-planin që paraqiti tek kioska mes qytetit para 4 muajsh ose të shohësh dhënien pa tender të 14 nga 16 projektimet e veprave publike personave afër tij që i shërbejnë si “Mon Kukaleshi i radhës” dhe që i votojnë projektet e veta në konflikt të hapur interesi.
Ministria e Punëve Publike ka depozituar në Prokurori disa kallëzime penale ndaj kryetarit të bashkisë për leje ndërtimi për pallate të lëshuara në zona të gjelbra apo mbi rrugë publike në kundërshtim me ligjin dhe planin rregullues në fuqi. Ndryshe nga Himara, në rastin e Tiranës kryetari urdhëron direkt mediat përmes lejeve të ndërtimit, ndërsa Prokuroria është thjesht e paqenë.