E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama hartoi planin francez për kullat e tij



PD-ja iu referua dje planit francez për Tiranën, nga ku denoncoi kryetarin e bashkisë, Edi Rama, se këtë projekt e hartoi vetëm për kullat e tij si kryetar bashkie. Sipas demokratëve, ky është një nga shembujt se si prona dënohej me moszhvillim apo të kthehej në lulishte në qoftë se nuk ia jepje kryetarit apo ortakëve të tij.

Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, e quajti dje primitiv modelin e qeverisjes së kryeqytetit nga z. Rama, pasi sipas tij, kryebashkiaku Rama e koncepton zhvillimin e pronës në Tiranë, ku disa pronarë përfitojnë në kurriz të të tjerëve për abuzime personale të kryetarit. ''Rama vazhdon ta mbajë Tiranën pa plan, sepse e përdor për grupin e tij, duke e copëtuar me studime pjesore siç është plani francez për qendrën, që u hartua vetëm për kullat e kryetarit", - tha z. Aldo Bumçi. “Ky, - vijoi Bumçi, - është një nga shembujt se si prona dënohet për moszhvillim apo kthehet në lulishte në qoftë se nuk ia jepje atij apo ortakëve të tij”. Bumçi tha se gjatë hartimit të planit francez, "shumë pronarë të vjetër të qytetit kanë ngritur shqetësimin e tyre për mënyrën se si përcaktoheshin njollat e ndërtimit në këtë zonë: nëse i kishe lidhjet e duhura ekonomike dhe politike me kryetarin, zona përcaktohej zonë me pallate shumëkatëshe, në të kundërt prona përcaktohej si lulishte ose zonë me intensitet të ulët ndërtimi", duke shtuar se "në këtë mënyrë pronat e qytetarëve të vjetër të Tiranës po zhvlerësohen për shkak të kësaj praktike të dhënies së lejeve të ndërtimit". Në këtë kontekst Bumçi tha se "lagjet e vjetra të Tiranës nuk trajtohen si njësi të integruara ndërtimi, por duke dhënë një leje këtu e një atje, duke i lënë pa një zhvillim urban". "Kjo është trashëgimia e Edi Ramës për qytetin e Tiranës, një metodë primitive që i hap rrugë abuzimit, që disa pronarë të përfitojnë në kurriz të të tjerëve për interesat e tij personale", - u shpreh zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së. Sipas z. Bumçi, Rama e ka mbajtur Tiranen pa plan, sepse e ka përdorur për grupin e tij dhe e ka copëtuar me studime pjesore siç është plani francez për qendrën që u hartua vetëm për kullat e kryetarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›