E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria zgjeron përfaqësinë në selinë e NATO-s



Pas anëtarësimit në NATO, qeveria ndryshoi dje vendimin për hapjen e përfaqësisë së përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s në Bruksel. Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave konsiston në zgjerimin e strafit të përfaqësisë shqiptare pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Konkretisht, në përfaqësinë e përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s funksionon përfaqësia ushtarake, e cila përbëhet nga: përfaqësues ushtarak në NATO, gjeneral major; zëvendëspërfaqësues, kolonel; oficer shtabi për inteligjencën, nënkolonel; oficer shtabi për operacionet e stërvitjen nënkolonel; oficer shtabi për logjistikën, nënkolonel; oficer shtabi për planifikimin, nënkolonel; oficer shtabi për komunikim/standardizim, nënkolonel; oficer shtabi për komitetet politiko-ushtarake të NATO-s dhe koordinimin me BE-në, nënkolonel; oficer shtabi për mbrojtjen ajrore, nënkolonel. Po ashtu, dhe specialist për administrim/financë/protokoll major; nënoficer për administrimin/sekretar/operator, kapter; nënoficer për regjistrin, rrjetin e klasifikuar, kapter; shofer/adjutant, kapter. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

Misionet, qeveria siguron jetën e ushtarakëve

Qeveria siguron jetën e ushtarakëve të forcave të armatosura të dërguara me misione ushtarake jashtë Shqipërisë nga çdo fatkeqësi që mund t’u ndoshë atyre gjatë kryerjes së misionit. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me INSIG sh.a.-në, të bëjë sigurimin e jetës nga aksidentet në grup të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që janë me mision ushtarak jashtë vendit, me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2009, miratuar për këtë ministri. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe INSIG sh.a.-ja për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›