Legalizimet, si duhet regjistruar prona në ZRPP
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme lëshoi dje një udhëzim, sipas të cilit, përcaktohet e gjithë procedura për regjistrimin e pasurive të legalizuara. Kështu, menjëherë pas marrjes së lejes së legalizimit, qytetari duhet të ndjekë procedurën përkatëse në ZRPP për të regjistruar përfundimisht pronën e tij. Me plotësimin e kësaj procedure, prona do të quhet e ligjshme. ZRPP-ja bëri me dije se kanë nisur procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale, përgatitja e dokumentacionit teknik, ligjor dhe financiar, që mbështet këtë proces të përcaktuar me ligj. I gjithë dokumentacioni i përgatitur në terren dhe në zyrë nga Agjencitë Rajonale të ALUIZNI-t do të dorëzohet për regjistrim në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky udhëzim do të jetë një dokument, që do të ndihmojë Zyrat Vendore të Regjistrimit ë Pasurive të Paluajtshme për shpejtimin e procesit të regjistrimit në përputhje me aktet ligjore, si dhe për unifikimin e veprimeve dhe procedurave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme që vijnë nga ALUIZNI. Për efekt të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore apo normative do të dallohen edhe rastet e marrëdhënieve me truallin të ndërtimeve informale dhe do të përcaktohen disa teknika regjistrimi sipas rasteve.
Sistemi i ri
Ndërtimi informal është ngritur mbi një truall të regjistruar në pronësi të poseduesit të ndërtimit pa leje. Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim i paraqitur nga Agjencia Rajonale e ALUIZNI-t do të jetë: - Leja e legalizimit të objektit. - Gen-Plani i objektit i hartuar si Plan-Rilevimi. - Fragment i ortofotos të objektit të legalizuar që konfirmon ekzistencën e objektit para datës së kryerjes të fotografimit ajror. - Planimetria e kateve të objektit të legalizuar. - Çdo dokument tjetër teknik që shërben për përcaktimin e saktë të pasurisë së legalizuar. Për shtesat anësore planimetria duhet të jepet për të gjithë objektin dhe të shënohet qartë pjesa e legalizuar. - Regjistri i parcelës ndërtimore. - Kartela e regjistrimit e pasurisë së legalizuar. - HTR-ja e përditësuar (azhurnuar) për të gjithë zonën informale. Me paraqitjen e këtij dokumentacioni pranë zyrës vendore, për një pasuri të caktuar, në fillim do të identifikohet kartela përkatëse (meqë pronari i tokës është edhe ndërtues i pasurisë së legalizuar).
Plotësimi i kartelës
Në seksionin “B” të kartelës do të bëhen ndryshimet e mëposhtme: Në rreshtin e dytë të këtij seksioni do të hidhet sipërfaqja totale në kolonën e parë, do të plotësohet sa është sipërfaqja truall, në kolonën e dytë, ndërsa në kolonën e tretë do të hidhet sipërfaqja e ndërtesës. Në seksionin “C” të kartelës nuk do të ketë ndryshime. Në rubrikën “Lloji i pasurisë”, për pasurinë e legalizuar, shënohet Truall 2. Parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar. Në këtë rast do të hapen dy kartela të reja, një kartelë me sipërfaqe sa e parcelës ndërtimore dhe një kartelë me sipërfaqen që mbetet. Plotësimi i seksionit “B” bëhet njësoj si në rastin e parë. Në rast se pronari i tokës (familjes bujqësore) ka një sipërfaqe më të madhe së parcela e legalizuar dhe pronari i kësaj të fundit është vetëm një nga anëtarët e familjes bujqësore (p.sh. i biri), duhet të hapen dy kartela, një për tokën e mbetur dhe një për parcelën ku ndodhet ndërtimi informal. Në kartelën e parë do të hidhet sipërfaqja e tokës bujqësore dhe në seksionin “C” do të hidhet pronari i familjes bujqësore siç ka qenë. Në kartelën e dytë do të hidhet sipërfaqja e pasurisë se legalizuar siç u shpjegua më lart dhe në seksionin “C” pronari i pasurisë së legalizuar. Në rubrikën “Lloji i pasurisë”, për pasurinë e legalizuar, shënohet Truall. Në rubrikën “Lloji i pasurisë”, për pasurinë e mbetur, shënohet i njëjti lloj pasurie si i pasurisë “mëmë”. Seksionet e tjera të kartelës qëndrojnë të paprekura.
Harta treguese e regjistrimit
Hedhja e ndryshimeve në Hartën Treguese të Regjistrimit, Gen-Plani i objektit në shkallën e hartës së Zyrës së Regjistrimit, i dorëzuar në dosjen e ALUIZNI-t, do të konsiderohet si Plan-Rilevimi, në rast se parcela ndërtimore është e njëjtë me sipërfaqen e regjistruar në kartelë. Në hartën treguese me anën e numrit të pasurisë gjendet pasuria përkatëse dhe në të hidhet vetëm ndërtesa e legalizuar. Pas kësaj shënohet shenja konvencionale lidhëse që bashkon ndërtesën me truallin, duke ruajtur një numër pasurie. Hedhja e ndryshimeve në HTR bëhet në përputhje me rregulloren e regjistrimit. Duhet të kihet parasysh që azhurnimi i pasurisë në HTR të bëhet përpara plotësimit të kartelës. Në rast se parcela ndërtimore zë vetëm një pjesë të sipërfaqes së pasurisë për të cilën është hapur një kartele. Në fillim do të ndahet pasuria “mëmë” në dy pasuri, të cilat do të marrin dy numra të rinj pasurie. Në parcelën ndërtimore do të hidhet ndërtesa njësoj si në rastin më sipër. Në rubrikën “Përshkrim i veçantë” do të shënohet numri dhe data e lejes së legalizimit, numri i kateve të ndërtesës dhe hollësira të tjera që regjistruesi i quan të nevojshme etj. Shtesat anësore të pallateve do të regjistrohen si pasuri më vete, me numër të veçantë, do të hapet një kartelë për pasurinë pallat dhe pastaj për çdo njësi apo apartament kartelë më vete. Shtesat e pallateve në lartësi do të pasqyrohen në kartelën e pasurisë pallat dhe pastaj do të hapen kartelat e reja për çdo apartament. Një shembull kur ndërtimi informal është ngritur mbi një truall në pronësi shtetërore. Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim i paraqitur nga Agjencia Rajonale e ALUIZNI-t do të jete: - Leja e legalizimit të objektit. - Gen-Plani i objektit i hartuar si Plan-Rilevimi. - Fragment i ortofotos të objektit të legalizuar që konfirmon ekzistencën e objektit para datës së kryerjes të fotografimit ajror. Zyra vendore e ALUIZNI-t do të lajmërojë qytetarin që të paraqitet në sportelet e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të aplikuar. Kërkesa e aplikuesit duhet të shqyrtohet brenda një afati 15-ditor. Mosplotësimi i këtij afati ngarkon me përgjegjësi regjistruesin e ZVRPP-së. Në asnjë rast nuk lejohet të bëhet akt-verifikimi dhe t’i dërgohet qytetarit. Për çdo paqartësi apo mangësi në dosje, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të komunikojë me shkrim me drejtorinë rajonale përkatëse të ALUIZNI-t.
Ligji, brenda 6 muajve, çdo fermer me titull pronësie
Këshilli i Ministrave dërgoi në Kuvend një ndryshim në ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë të dhënë me ligjin 7501. Sipas ndryshimit të propozuar, kryetarët e komunave dhe bashkive, do të duhet që fill 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi në fshatra e ish-kooperativa bujqësore në rastet kur komisioni i tokës nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor të ndarjes së tokës si dhe familjet që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte për persona të tjerë. Me pak fjalë, çdo fermer shqiptar që ka përfituar tokë me ligjin 7501, por që për shumë arsye nuk ka marrë aktin e pronësisë, me anë të këtij ligji do të pajiset me një të tillë. Aktualisht ka nisur edhe një proces për verifikimin e këtyre titujve me anë të komisioneve vendore që administrohen nga prefektët. Tashmë ky proces ka nisur, madje janë drejt dhënies së vendimeve mijëra dosje. Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore e që më pas janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga 1.8.1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Në shumë raste, këto prona kanë qenë rreth zonave urbane e në bregdet dhe ato tashmë janë kthyer në troje për ndërtim, ku janë ngritur objekte. Në këto raste do të penalizohet vetëm ai që e ka përfituar titullin e pronësisë në mënyrë të padrejtë. Nëse ka kryer transaksion dhe këtë pronë ai nuk mund t’ia kthejë shtetit, atëherë do të paguajë çmimin për metër katror sipas vlerës së tregut, përcaktuar në hartën e vlerës së tokës që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në rast se evidentohet se toka është vjedhur apo përfituar pa të drejtë, komisioni vendor do t’i propozojë komisionit që drejtohet nga zëvendëskryeministri për t’i hequr titullin e pronësisë. Personi i prekur do të ketë afat vetëm 60 ditë për t’u ankimuar në gjykatë, ndryshe, vendimi i komisionit do të hyjë në fuqi, duke tjetërsuar pronësinë e duke ia kaluar shtetit.