E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, qeveria financon udhëtimin e shtetasve në zonat e thella



Pas uljes së çmimit të kartave të identitetit, qeveria krijon të tjera lehtësira për qytetarët shqiptarë. Këtë radhë përfitojnë banorët e zonave të thella, shtëpitë e të cilëve ndodhen larg qendrave ku shpërndahen kartat. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për financimin e udhëtimit të tyre drejt qendrave ku aplikohet për dokument. Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën se po mashtron opinionin publik për kartat dhe po spekulon për atë që socialistët e quajnë "taksë të votës".

Kreu i qeverisë u kujtoi ish-pushtetarëve të majtë se në kohën e tyre caktuan një çmim prej 50 mijë lekësh për marrjen e një pasaporte. Kryeministri njoftoi se Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor do të blejë kuponët për shtresat në nevojë që përfitojnë nga kompensimi. Z. Berisha, duke prezantuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vuri në dukje se qeveria do të paguajë transportin e shtetasve në komunat dhe fshatrat e tyre që janë larg qendrave të aplikimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik. “Me riorganizimin e gjendjes civile, në disa komuna pati një heqje të tyre, për shkaqe objektive administrative dhe është në rishqyrtim e riorganizim krijimi me kohë të pjesshme i zyrave të gjendjes civile në këto komuna, por, derisa të krijohen, zgjedhësit e këtyre komunave do të kenë të paguar transportin për në komunat, ku ndodhen qendrat e aplikimit”, - tha z. Berisha. “Natyrisht, - shtoi ai, - kjo do të aplikohet jo vetëm për këto komuna, por edhe për fshatrat e një komune që ndodhen larg”. Berisha përmendi faktin se ka komuna shumë të hapura që, realisht, në këmbë janë mbi tri orë dhe këtyre zgjedhësve qeveria do të marrë përsipër t’u paguajë transportin për në qendrën e aplikimit. Kryeministri Berisha informoi se procesi i aplikimit ecën me ritme të shpejta dhe se gjatë 2-3 ditëve të fundit janë ndërmarrë dy hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Kryeministri Berisha konsideroi se masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe numri i personave që kanë aplikuar ka arritur në 17 mijë në ditë dhe prirja është të shkohet drejt 20 mijë aplikimeve në ditë. Firma e prodhimit të kartave ka hapur 58 qendra të reja aplikimi më shumë sesa ishte parashikuar në kontratë. “Procesi po ecën me shpejtësi të admirueshme. Në orët e para të mëngjesit, numri i aplikimeve ka arritur në 600 mijë dhe me ritmet prej 17-20 mijë aplikimesh në ditë, kapacitete janë të plota për ta përfunduar brenda muajit maj dhe për këtë kemi një raport shumë të hollësishëm nga Fondi Shqiptaro-Amerikan që është pjesëmarrës i konsorciumit ALEAT që prodhon kartat”. Duke i quajtur spekulime primitive dhe mashtrim ndaj qytetarëve deklarimet e opozitës që e konsiderojnë çmimin e letërnjoftimit si taksë vote, Kryeministri tha se blerja e një malli nuk është taksë dhe se qeveria ka paguar në masën 80-100 për qind të çmimit të saj për rreth 700 mijë qytetarë. “Këto janë zhvillime shumë pozitive. Ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët. Çmimi i saj nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria, jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi, për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij dhe merr nga 0 deri në 200 lekë. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shitur edhe deri në 50 euro dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 eurosh nuk është pak. Ne po e japim me 1.5 euro. Po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Çfarë mund t’u thuash qytetarëve që i kanë blerë pasaportat me çmimin 5 mijë lekë dhe nuk janë një apo dy, por 2 milionë shqiptarë dhe këtë çmim e kemi gjetur nga qeveria socialiste. Apo për certifikatat me fotografi. Ndaj, ky është një spekulim shumë primitiv”, - u shpreh Kryeministri Berisha. “Çmimi i blerjes së kartave, - vijoi më tej ai, - nuk ka asnjë taksë, përkundrazi, është subvencionuar për 700 mijë persona që janë konsideruar në nevojë, për të cilët qeveria ka edhe meritën e madhe, pasi ka dyfishuar të ardhurat e tyre. Ne i kemi gjetur me 34 dollarë dhe më 1 maj, ata marrin 70 dollarë. Kur unë, në këtë zyrë, flisja për skemën e kafshatës, ata që shkumoheshin në vaska floriri, ironizonin. Skema e kafshatës ka dhënë efektin e padiskutueshëm dhe ishte kalkulimi më i drejtë i qeverisë, sepse ajo synonte që ata që ishin me 1 dollar në ditë, të bëheshin me 2 dollarë në ditë. Varfëria e ka treguesin e saj vetëm mbi të ardhura dhe vetëm mbi to bazohet. Skema e kafshatës në tërësinë e vet, së bashku me masa të tjera, bëri që kjo qeveri të rrisë nga 69 për qind faturën sociale, çka do të thotë ta dyfishojë plotësisht atë. Qeveria ka pasur një sukses të veçantë në këtë drejtim”, - u shpreh Kryeministri, duke siguruar se për sa kohë do të jetë e nevojshme, qeveria do ta vazhdojë këtë skemë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›