Dule: Censusi dështoi, kishte për qëllim të tkurrte minoritetin
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e konsideron të dështuar procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, kryer nga INSTAT në tetor të këtij viti.
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke folur dje në një takim me shoqata që përfaqësojnë minoritetet në vendin tonë, ka theksuar se procesi i censusit ishte parashikuar të dështonte. Kryetari Vangjel Dule akuzoi qeverinë dhe ata që ai i cilësoi si ‘qarqe nacionaliste’ se patën si qëllim tkurrjen e minoriteteve në Shqipëri. Dule e argumentoi këtë me faktin se ligji i regjistrimit të popullsisë i këtij viti penalizonte ata persona, që në deklaratë nuk iu përputhej kombësia me atë të regjistruar në gjendjen civile. “PBDNJ, shoqatat në partneritet strategjik me të, janë për deklarime në kundërshtim me bazën e të dhënave në Republikën e Shqipërisë? Po. Përse? Sepse në atë bazë të dhënash kemi rezultatin e një tkurrjeje sistematike ndër vite, e cila ka tjetërsuar realitetin e shtrirjes dhe të përmasave të minoritetit. Ky regjistrim i popullsisë përbënte një dështim të paralajmëruar, të parapërgatitur, një dështim i cili krahas të tjerave mban dhe një faturë rreth 14 milionë eurosh”, - tha Vangjel Dule. Kreu i PBDNJ-së theksoi ndërkaq se procesi shkon përkundër frymës dhe kërkesave të Bashkimit Europian, drejt të cilit dëshiron të shkojë Shqipëria. Disa ditë më parë ai paralajmëroi se do të çonte në Gjykatën e Strasburgut edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzonte nenin e ligjit të Gjendjes Civile, ku flitej për kombësinë.