E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i ri nis punimet pa opozitën,Rama: Duam ligj për hetimin e zgjedhjeve

 

BLEDAR HOTI

Pesëmbëdhjetë flamuj kombëtarë të rreshtuar në dy anët e hyrjes së Parlamentit, dy pishtarë të mëdhenj të vendosur në portën kryesore të godinës kanë qenë surprizat për deputetët në këtë nisje të Legjislaturës së XVIII-të. Vendosja e dy pishtarëve të jepte idenë e hyrjes në një tempull të shenjtë. Seanca e djeshme, pavarësisht mungesës së deputetëve të PS-së, u organizua në formën e një feste. I pari që ka shkelur sallën e Kuvendit nga të zgjedhurit të popullit ka qenë Fatos Hoxha, deputeti i Kukësit. Më pas kanë hyrë me radhë të gjithë deputetët e tjerë, në grupe apo veçmas. Këshilltarët e ish-kryeministrit apo zëvendësministrat, si Fatbardh Kadilli, Florian Mima, Shrefedin Shehu kanë hyrë së bashku në sallë. Ndërsa më pas tre deputetët e LSI-së, Ilir Meta, Lefter Koka dhe Nasip Naço iu futën sallës së mbledhjes, ndërsa Dritan Prifti ka hyrë i vetëm. Lefter Maliqi,  i zgjedhur në qarkun e Beratit, si më i riu ka hyrë në seancë me mandatin e deputetit në dorë, për të mos pasur pengesa nga shërbimi i Gardës. Në mbledhjen e parë të parlamentarëve ka qenë edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i vetmi përfaqësues i opozitës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në seancë duke u angazhuar me organizimin e seancës. Më pas ka mbërritur Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka preferuar të hyjë nga ana e pasme e godinës së seancave plenare. Në njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Kryeministri Berisha. Pas mbërritjes edhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik të SHBA-ve, Francës, BE-së, Britanisë së Madhe, OSBE-së, si dhe të klerikëve të lartë të tre besimeve fetare ka nisur seanca e Kuvendit. Kori special ishte vendosur në platenë e sipërme, në të cilën këndoi himnin kombëtar.
Beja
Më pas, fjalën e mori demokrati, Fatos Beja, si deputeti si më i vjetër në moshë. “Nëse legjislatura e XVII-të do të ngelet në historinë e vendit si legjislatura e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, unë uroj që kjo legjislaturë të jetë ajo e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo aspiratë e të gjithë shqiptarëve, e mbështetur fatmirësisht nga të gjithë grupet politike, kërkon mbështetjen në çdo hap të të gjithë ligjvënësve, në ditët, muajt e vitet që vijnë. Fjala dhe vota janë kryefjala dhe kallëzuesi i veprimit parlamentar”, tha Beja në fjalën e hapjes. Më pas ka nisur procedura për përzgjedhjen e sekretarisë, ku duhet të bëjnë pjesë sipas Rregullores, deputetët më të rinj të Parlamentit. Kështu janë zgjedhur Gerti Bogdani, Ledina Aliolli dhe Paulina Hoti deputetët e sekretariatit. Drejtuesi i seancës më pas ka nisur të lexojë vendimin e KQZ-së për shpalljen e deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në sallë, në pjesën e sipërme kanë shpërthyer duartrokitjet nga të ftuarit në momentin kur Beja ka lexuar emrin e Sali Berishës në listën e deputetëve.
Mandatet
Pas kësaj procedure janë ftuar partitë politike, që të propozojnë emrat e anëtarëve të komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve. Astrit Patozi, si kryetar i grupit parlamentar të PD-së propozoi që në komision të Verifikimit të Mandateve të bëjnë pjesë deputetët Jemin Gjana, Mesila Doda, Eduart Halimi dhe Osman Metalla. Ndërsa nga LSI-ja u propozua Nasip Naço. Katër deputetët e tjerë nuk u propozuan, pasi mungonte pjesa më e madhe e përfaqësuesve socialistë. Drejtuesi i seancës, Beja ka deklaruar se komisioni i Verifikimit të Mandateve do të shqyrtojë mandatet të zgjedhurve nëse janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Ai e caktoi ditën e sotme pasdite si afat ku komisioni të japë vlerësimin e tij zyrtar nëse mandatet e 140 deputetëve janë në përputhje me Kushtetutën ose jo. Të pesë deputetët janë mbledhur pasdite në zyrat e kryesisë së Kuvendit për të verifikuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën. Anëtari i këtij komisioni, demokrati Osman Metalla tha mbrëmë për “Panorama” se sot pritet një mbledhje e dytë e këtij komisioni dhe se: “Ka rezultuar që asnjë deputet nuk ka përplasje me nenin 69 të Kushtetutës”. Sipas tij, nga verifikimi kandidatët që kanë qenë kryetarë bashkie apo komunash kanë dhënë paraprakisht dorëheqjen, duke zbatuar Kushtetutën.

Meta: Rama, i vetëm kundër projektit evropian

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh kundër vendimit për bojkot të Parlamentit nga deputetët e PS-së. Ai u shpreh optimist se koalicioni i ri do të bëjë maksimumin për evropianizimin e vendit, ndërsa sipas tij kundër këtij projekti nuk janë socialistët, por vetëm Edi Rama. “Sot nis një legjislaturë e re dhe unë jam i bindur se në fund të kësaj legjislature Shqipëria do të jetë shumë më ndryshe nga çfarë është sot. Shqiptarët do të ndihen shumë më mirë dhe njëkohësisht atyre që iniciojnë iniciativa të tilla tepër të vjetra për politikën shqiptare, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin ku jetojmë, të jeni të sigurt që do t’ju vijë turp pas pak kohësh për këtë veprim të pajustifikuar që bëjnë thjesht për probleme të brendshme statutore”, u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI-së, Ilir Meta, në projektin për liberalizimin e vizave dhe evropianizimin e vendit socialistët kontribuojnë në çdo pozicion që ndodhen. “Asgjë nuk do ta ndalë projektin e evropianizimit të Shqipërisë, atë të liberalizimit të vizave dhe jam i bindur që kundër këtij projekti nuk është Partia Socialiste, por është një lidership, i cili ka vetëm probleme personale dhe interesa personale. Socialistët kanë kontribuar për evropianizimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë, pavarësisht se ku ata ndodhen. Ndërsa kjo e sotmja është një shfaqje e turpshme, në kuadër të një degradimi fatkeq që ka kaptuar Kryetarin në detyrë”, u shpreh kreu i LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë e koalicionit qeverisës dhe do të përfaqësohet me 3 ministri dhe 7 zv.ministra në kabinetin e ri qeveritar.

Rama jep 7 kushtet: Ligj për hetimin e zgjedhjeve

Aristir Lumezi

Edi Rama bëri publik dje vendimin dhe kushtet që PS-ja ka për daljen nga bojkoti i Kuvendit. Kreu socialist në detyrë, përmes një konference për shtyp i bëri publik shqiptarëve, por dhe Kuvendit, arsyet dhe kushtet që socialistët vendosin për të dalë nga bojkoti, duke filluar nga një ligj i veçantë për hetimin e zgjedhjeve e deri te zbardhja sa më shpejt e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. “Partia Socialiste e Shqipërisë e vlerëson rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshme, si shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi e korrupsioni elektoral dhe legjitimitetin politik e moral të institucioneve të dala prej tyre si thellësisht të cunguar. E kemi shprehur më parë, e nënvizojmë sot qartësisht, se Partia Socialiste e Shqipërisë e kushtëzon praninë e saj në Kuvendin e dalë prej zgjedhjeve të 28 qershorit, me krijimin e kushteve që garantojnë transparencën e plotë të këtij procesi të deformuar zgjedhor në të gjithë komponentët e tij”, u shpreh Rama. Sipas tij, socialistët kërkojnë një ligj të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor edhe me praninë e OSBE-ODIHR, të drejtuar e përbërë në shumicë nga opozita parlamentare. Kushtet që socialistët vendosën dje u përpunuan një ditë më parë nga grupi i punës i përbërë nga vetë Edi Rama, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri. Gjithashtu socialistët kërkojnë sigurimin dhe transparencën e nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, nëpërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. Ndër kushtet e vëna maxhorancës për të ndërprerë bojkotin, kreu i PS-së radhiti vënien para përgjegjësisë të të gjithë zyrtarëve që kanë dhënë leje të dënuarve gjatë fushatës zgjedhore, por dhe zbardhjen sa më shpejt të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi.
Blushi
Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, tha dje se opozita po tregtohet frikacake me anë të bojkotit të Parlamentit. Sipas tij, opozita duhet të jetë në seancën e betimit në Kuvend. “Të enjten, ditën e betimit, deputetët e PS-së duhet të jenë në Kuvend. Me bojkot opozita po tregohet frikacake, sepse po shmang terrenin e betejës politike. Me këtë çoroditje në qëndrime ne nuk u japim garanci socialistëve, por dhe votuesve tanë me formën e bojkotit. Në demokraci opozita lind për të jetuar në parlament dhe jo në rrugë”, u shpreh Blushi. Duke komentuar kushtet e paraqitura dje nga kryetari në detyrë Edi Rama, Blushi tha se ato janë vendosur me procedura formale dhe jo institucionale. “Vendimin e bojkotit nuk e mori as Asambleja Kombëtare, as Kongresi i jashtëzakonshëm, as kryesia socialiste, por një grup pune, të cilin nuk e vendosi askush dhe nuk u miratua nga asnjë institucion. Ka një flagrancë në këtë vendimmarrje”, tha Blushi. Sipas tij, që pas zgjedhjeve, Rama e ka pasur të qartë vendimin për të mos çuar në Kuvend grupin parlamentar socialist dhe ky veprim është shumë personal, të cilin e bën për të ndarë me të tjerët përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve.

Kushtet e PS për hyrjen në Kuvend

    PS-ja kërkon një ligj të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor edhe me praninë e OSBE-ODIHR, të drejtuar e përbërë në shumicë nga opozita parlamentare.

    Duam të sigurojmë transparencën e nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009

    Kërkojmë identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve për  lejet e lirimit të të dënuarve për periudhën 29 maj - 28 qershor 2009

    Evidentimin dhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna pse përkrahën PS në fushatë

    Identifikimin e përgjegjësive institucionale dhe administrative ndaj atyre që kanë përdorur funksionet dhe asetet publike në shërbim të fushatës

    Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon ndryshimet përkatëse ligjore për balancimin e plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Publik, si edhe ndalimin e reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.

    Transparencën dhe përshpejtimin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, me asistencë të pavarur hetuesish ndërkombëtarë.

Zgjerimi i koalicionit, Rama takohet me Gjinushin dhe Ndokën
Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, takoi dje në hotel “Tirana” kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe atë demokristian, Nard Ndoka. Takimi, i cili u zhvillua larg syrit të medias, është në vazhdën e përpjekjeve që Rama po bën pas vendimit për bojkot të Parlamentit nga ana e deputetëve socialistë, për të krijuar një bashkim partish kundër maxhorancës aktuale. Në përfundim të takimit, Skënder Gjinushi u shpreh se është koha për bashkimin e së majtës. PSD shprehet sërish në favor të qëndrimit të PS për bojkot ndaj Kuvendit. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi deklaroi se, “vendimi i Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin është zgjidhja më e drejtë, pasi janë shkelur në mënyrë flagrante standardet demokratike në këto zgjedhje dhe për rrjedhim parlamenti është ilegjitim”. Gjinushi tha se, “PS-ja nuk mund t’i pranonte deformimet e zgjedhjeve dhe përveç kushteve që parashtron për hetim komplet të këtij procesi ka dhe një opsion tjetër, apelimi në Gjykatën Kushtetuese”. Sipas tij, kjo është koha më e përshtatshme për një bashkim ndërmjet të gjithë të majtës, bojkoti i Parlamentit është vetëm hapi i parë që mund të bëhet, pasi demokracia është cenuar rëndë, me qeveri dhe Kuvend ilegjitim, më pas do të ndërmerren hapa për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një prononcim për mediat një ditë pas mbledhjes së kryesisë socialiste, Edi Rama bëri të qartë se bojkoti do shoqërohet dhe me veprime të tjera politike me të gjitha partitë që nuk janë në qeveri. “Bëhet fjalë për një qëndrim të detyruar karshi të gjithë atyre qytetarëve e qytetareve që në 28 qershor prisnin të kthenin një fletë të historisë, duke filluar nga historia e zgjedhjeve të shëmtuara dhe të njollosura tradicionalisht dhe këtij detyrimi ne do t’i qëndrojmë me një aksion shumë planesh, i cili do të jetë i koordinuar dhe sigurisht në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e PS-së, me gjithë opozitën, përtej së majtës dhe së djathtës, duke i bërë thirrje edhe partive e forcave të tjera shoqërore, që nuk kanë program të përbashkët me tonin dhe nuk janë pjesë e kampit tonë të qendrës së majtë, që të bashkohen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, është shprehur Rama.

Bosch: Debati zhvillohet në Parlament
Në seancën e pasdites së djeshme ishin të pranishëm titullarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ambasada amerikane është përfaqësuar nga zëvendës/ambasadorja, Deborah Jones pasi Uidhers ndodhet me pushime. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch ka dhënë një koment të shkurtër në lidhje me bojkotin e opozitës në këtë seancë të parë. “Parlamenti është vendi ku në shtetet demokratike zhvillohet debati, kjo vlen dhe për Shqipërinë ku axhenda integruese është e rëndësishme”, ka deklaruar Bosch në “TV Klan” para fillimit të seancës. Pas mbylljes së seancës parlamentare, e cila ka zgjatur 20 minuta, në holl për disa minuta kanë diskutuar së bashku ambasadori Bosch, ai i KE-së, Lohan së bashku me zëvendës/ambasadoren e SHBA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›