Dule: Duhet të përdorim dhe Euro
13/06/2005 Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangje Dule, ka kërkuar që në vendin tonë të fillojë përdorimi i monedhës Euro. Deklarata e Dules, ka ardhur gjatë prezantimit në rrethin e Sarandës të kandidatit për deputet, në zonat elektorale numër 98, 99 dhe 100 përkatësisht Spiro Peçi, Mihal Naçi dhe Thoma Miço. Kreu i PBDNJ-së, i ka kërkuar banorëve të kësaj zone, që të votojnë për alternativën që ofron partia e tij, sepse “nëpërmjet një debati publik, specialistësh dhe politikanësh dhe të shoqërisë civile që në vendin tonë të nisë procedura e adoptimit të monedhës euro”. Dule ka theksuar gjithashtu se "PBDNJ-ja do të luftojë për frenimin e fenomenit të zhvlerësimit të politikës dhe politikanëve, për eliminimin e ndjenjës së mosbesimit të qytetareve ndaj tyre, për garantimin e rregullave të transparences dhe shanseve të barabarta, për sanksionimin e masave të mbrojtjes efektive të qytetarit nga fenomenet e korrupsionit", tha Dule.