Dule: Duhet të zgjidhet kriza, ejani në protestën e 30 prillit
Protestës opozitare të 30 prillit do t’i bashkohet edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i kësaj force, Vangjel Dule, ka bërë thirrje dje në një konferencë për shtyp për pjesëmarrje në tubimin e së premtes duke mbështetur edhe kredon e tij për votën e lirë dhe rënien ekonomike. “Ftoj ditën e premte anëtarët, simpatizantët e dashamirësit e PBDNJ apo të forcave të tjera që mbështesin kauzën e votës së lirë. Që të gjithë të japin praninë e tyre qytetare për të përcjellë mesazhin i cili do të bëjë të gjithë të reflektojnë dhe në këtë mënyrë të vijë zgjidhja të cilën kërkon vendi”, tha kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai i ka dhënë një konfirmim përfundimtar angazhimit politik të PBDNJ-së, që në këtë moment po rreshtohet hapur kundër qeverisë “Berisha”. Brenda këtij rikonfigurimi të aleancave politike, duhet marrë në konsideratë edhe roli i Omonia-s, kryetar i së cilës është kreu i Bashkisë së Himarës, Vangjel Dule. Në kontekstin e zhvillimeve brenda minoritetit pozicioni zyrtar i PBDNJ kontraston me atë të faktorëve të tjerë si partia më e re e pakicës greke, MEGA, e krijuar vetëm një muaj më parë. Thënë ndryshe kriza shqiptare ka ndarë më dysh edhe përfaqësimin politik të minoritetit grek, pavarësisht se gjatë deklarimeve të fundit në media, dyshja Bollano-Dule, u përpoq që të minimizonte rolin e zhvillimeve të fundit në Jug të vendit. Me interes është të regjistrohet kursi i PBDNJ në drejtim të aleancave me pushtetin në Tiranë; kështu nuk mund të mos bjerë në sy se dalja në krah të opozitës së majtë shqiptare edhe pse shprehje e afinitetit natyral me PS përkon në kohë me ardhjen në pushtet në Greqi të socialistëve të Papandreut. Megjithatë, është herët për të vlerësuar lidhjen mes opozitarizmit të PBDNJ dhe një ftohje relative të Athinës zyrtare me qeverinë aktuale në Shqipëri. Ajo që tanimë është fakt politik është dalja në rrugë e një prej partive që përfaqësojnë minoritetin grek në Shqipëri dhe që në vijimësi ka ngritur shqetësime publike për gjendjen e të drejtave të tij, pavarësisht ngjyrës së qeverive që kanë drejtuar në Tiranë.
#