Serbët zhbllokojnë rrugët, barrikada
Serbët në Leposaviç dhe në Zupç kanë nisur heqjen e barrikadave rrugore, por ajo më e madhja në vendbanimin Rudarë mbetet ende më këmbë. Heqja e barrikadave vjen disa orë pas takimit mes përfaqësuesve të katër komunave veriore, në të cilin është dashur të merret vendim për barrikadat, për të përmbushur njërën nga pikat e pajtueshmërisë së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit. Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për ata që janë duke bllokuar rrugët. “Tanimë ka filluar largimi i disa barrikadave në veri që kanë qenë të instaluara prej strukturave kriminale. Qeveria e Kosovës do të respektojë mirëkuptimin e përbashkët me NATO-n KFOR-in. Gjithë ata që vazhdojnë t’i rezistojnë realitetit të ri, duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për bllokuesit, por perspektivë të sigurt do të ketë rendi dhe ligji, lëvizja e lirë e njerëzve”,- tha në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Thaçi. Në anën tjetër, njëri nga përfaqësuesit e serbëve lokalë, Kërstimir Pantiq, është shprehur i bindur se të paktën barrikada në Rudarë do të qëndrojë edhe më tej. “Qytetarët do të jenë ende kujdestarë në rrugët magjistrale dhe do të jenë të gatshëm që të reagojnë”,- ka thënë ai, për të shtuar se barrikada në Rudarë nuk hiqet. “Ky është qëndrim i të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së veriut dhe të Zvecanit. Ata nuk duan t’i heqin barrikadat, sepse ato janë e vetmja garanci, e vetmja armë qe kemi në luftën kundër njësisë ROSU, që të mos i marrë vendkalimet kufitare”, tha Pantiq. Por, KFOR-i, që ka negociuar marrëveshjen me Prishtinën dhe Beogradin pret heqjen e plotë të tyre. “Disa nga ta kanë nevojë për më shumë kohë që ta diskutojnë me njerëzit me liderët kryesorë. Ne jemi të durueshëm dhe gjëja e mirë këtu, është se kemi qasje në portat tona”,- tha zëdhënësi i KFOR-it, Hans Vihter, për të shtuar se bllokada në Rudarë do të marrë kohë për t’u hequr, pasi që aty është vendosur material shumë i rëndë. Në anën tjetër, Qeverisë i ka ardhur sot një mbështetje për veprimet e saj nga ana e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith, i cili u ka bërë thirrje serbëve lokalë që të respektojnë marrëveshjen me KFOR-in. “E kam thënë edhe me datën 26 se Qeveria ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin, po ashtu kam thënë është se Qeveria duhet të bëjë të pamundurën që të integrojë të gjitha komunitete dhe të mbrojë të drejtat individuale të secilit komunitet dhe që të punojë drejt pajtimit”, -tha Faith, duke bërë thirrje për respektim të marrëveshjes. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet se gjendja prej 25 korrikut e këtej, ka ndryshuar rrënjësisht në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe, të financuara nga Beogradi zyrtar.