Trafikonin arme pranga 3 shqiptareve dhe 2 grekeve
Pesë trafikantë, tre shqiptarë e dy grekë, kanë rënë dy ditë më parë në prangat e policisë së Janinës. Ata dyshohet se trafikonin armë nga Shqipëria drejt Greqisë. Banda i trafikonte armët nëpërmjet Janinës afër kufirit greko-shqiptar, me qëllim shitjen e tyre në Greqi. Banda greko-shqiptare kalonte sasi të mëdha armësh kontrabandë nga Shqipëria në Janinë dhe prej aty në të gjithë Greqinë, duke përfituar nga shitja e armëve, bombave dhe fishekëve. Pjesëtarët e bandës, tre shqiptarë të moshave 18,20 dhe 36 vjeç dhe dy grekë një burrë 45 dhe një grua 48-vjeçare, u arrestuan në Janinë dhe në Menidhi. Në posedim të tyre u gjetën 4 pushkë, një mitraloz, dy automatikë të tipit “Kallashnikov”, prej të cilëve njëri me bajonetë, një çifte, njëmbëdhjetë lëndë plasëse, 25 bomba dorë, një tymues dhe 297 fishekë. Pesë personat u shoqëruan në prokurori me akuzën për armëmbajtje pa leje dhe trafik armësh.