Dule: Po ndajnë zonat e minoritetit
28/01/2005 Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka hedhur dyshime mbi diskutimet që po zhvillohen mes socialistëve dhe demokratëve për procesin e ndarjes së zonave elektorale. Në një konferencë për shtypin, Vangjel Dule tha se po kërkohet të ndryshojnë zonat 98 dhe 100, të cilat janë me shumicë minoritarësh. Dule tha se një proces i tillë dëmton rëndë përfaqësimin e minoriteteve. Kreu i PBDNj-së ka pranuar se një pjesë e këtij minoriteti nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, ndaj dhe duhet më shumë kujdes kur bëhet fjalë për ndarjen e këtyre zonave. Në të kundërt me deklaratën e Dules, përfaqësuesi i socialistëve, Elmaz Sherifi, është shprehur se komisioni i posaçëm po tregon vëmendjen e duhur që minoriteteve t'u jepen të drejtat që u takojnë. Sipas tij procesi ësthë bazuar në kriteret e vendosura nga ekspertët e Këshillit të Evropës, ndaj dhe nuk ka mundësi manipulimesh.