E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ndryshohet Kodi Zhgjedhor mbi të drejtat e vëzhguesve

28/01/2005  Komiteti i Helsinkit kërkon amendmimin e disa neneve para zhvillimit të zgjedhjeve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata “Për Kulturë Demokratike” i sugjerojnë Kuvendit të amendojë disa ndryshime që i janë bërë Kodit Zgjedhor dhe të mos kufizohet e drejta e vëzhguesve. Megjithatë, KSHH thekson se ndryshimet janë një hap përpara drejt përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor, që synon të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. "Nga studimi paraprak i këtyre ndryshimeve mendojmë se në këtë Kod ka ende disa formulime jo të plota dhe jo të sakta, madje edhe ndonjë dispozitë që bie ndesh me Kushtetutën. Shpresojmë që në të ardhmen ato të rishikohen. KSHH dhe SHKD thekson çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e vëzhguesve në procesin zgjedhor", thuhet në një deklaratë të dhënë dje për shtypin.

Sipas drejtuesve të KSHH, dhe me ligjin e mësipërm është ndryshuar neni 18 i Kodit Zgjedhor, që titullohet “E drejta për të caktuar vëzhgues”. "Në pikën 4, të nenit 18, të pandryshuar thuhej se kërkesa e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqitet KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. Nga kjo del se kjo kërkesë mund t’i paraqitej KQZ-së të themi edhe para 3-4 muajve para datës së zgjedhjeve, ndërsa me ndryshimet që iu bë nenit të mësipërm kërkesa e vëzhguesve shqiptarë mund t’i paraqitet KQZ-së jo më herët se 45 ditë para datës së zgjedhjeve. Ky ndryshim kufizon në mënyrë të dukshme monitorimin e zgjedhjeve nga vëzhguesit shqiptarë. Atyre u jepet mundësia të vëzhgojnë vetëm fushatën zgjedhore, votimin dhe numërimin e votave", thuhet në deklaratë. KSHH mendojn se para se të bëhej ky ndryshim duhej parë edhe neni 19 i po këtij Kodi, që nuk është ndryshuar, ku vëzhguesve u jepej e drejta “të vëzhgojnë pa pengesë të gjitha aspektet e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve”. "Nga kjo del se neni 18 i ndryshuar lidhur me këtë çështje vjen në kundërshtim me nenin 19, gërma “a” të pandryshuar të të njëjtit Kod", shtohet më tej. Në deklaratë theksohet se Kuvendi para se të miratonte këtë ndryshim duhet të kishte parasysh edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të prillit 2004, ku thuhet se “organizatat e vëzhguesve duhet të përfshihen që në fazat e hershme të procesit me qëllim vëzhgim të të gjitha proceseve zgjedhore”. Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se kufizime të tilla nuk i shërbejnë monitorimit të gjithanshëm dhe cilësor të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›