E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano nuk e mban fjalën

28/01/2005  Aleancisti Neritan Ceka braktis koalicionin e së majtës për zgjedhjet elektorale

Analizat duhet të korrigjonin vendimin e tryezws sw koalicionit

Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, tha në një intervistë për "Metropol" se në zgjedhjet e përgjithshme PAD-ja do të përballet me elektoratin pa aleanca. Ceka bashkëpunimin me partitë e majta dhe veçanërisht me PS-në e shikon vetëm për të ruajtur interesin e përbashkët: atë të vazhdimit të qeverisjes prej koalicionit të majtë. Aktualisht, PAD-ja ka përgatitur më shumë se gjysmën e listës së kandidatëve për deputetë për 100 zonat elektorale. Lidhur me mospërfshirjen e aleatëve të vegjël të PS-së në qeveri, Ceka tha se është një defekt që është vënë re shpeshherë te Kryeministri Fatos Nano, që nuk e mban fjalën.

Zoti Ceka do të bëjë aleancë partia juaj me Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme?

Mendoj që aleancat do të jenë paszgjedhore. Partia Aleanca Demokratike ka marë një vendim që do të hyjë e vetme në zgjedhje, natyrisht duke përcaktuar një strategji dhe taktikë të përbashkët elektorale me kolacionin ekzistues dhe synimi është që të arrihet një rezultat sa më i lartë në zgjedhjet e përgjithshme, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e qeverisë dhe koalicionit.

Si do të jetë bashkëpunimi me PS-në?

Bashkëpunimi me Partinë Socialiste natyrisht që do të jetë edhe përpara zgjedhjeve, por jo në kuptimin e lënies në dorë të zonave të lira dhe bashkëpunimit në mazhoritar. Kështu që mendoj se në këtë mënyrë ruhen interesat e përbashkëta.

Nuk do të ketë një strategji të përbashkët të së majtës për zgjedhjet?

Më e mira është që secila forcë të dali vetë në zgjedhje, kjo do të jetë strategjia më e mirë, duket absurde, por kështu është.

Duke iu referuar analizës vjetore të qeverisë, si i vlerëson PAD rezultatet e ministrive?

Analiza më tepër ishte për të ardhmen dhe m'u duk se ishin prekur pikat kryesore të një programi afatmesëm të një qeverie, e cila mendoj se ka ambicien të vazhdojë në bazë të analizës.

Pas analizës nuk u bënë ndryshime në qeveri, duke refuzuar kështu kërkesën e aleatëve për përfshirjen e tyre në kabinet. Cili është komenti juaj?

Do ishte mirë të bëheshin jo vetëm për të ruajtur, të themi, një vendim që u mor nga "Koalicioni për Integrim" në tryezën e dhjetorit, por edhe për të korrigjuar një defekt që është vënë re shpesh herë te Kryeministri Fatos Nano, që nuk e mban fjalën.

Në çfarë faze janë strukturat e partisë tuaj në përgatitjen për zgjedhjet e përgjithshme?

Ne kemi kohë që kemi filluar përgatitjen e strukturave tona, të cilat janë në "nxehje" të plotë. Ndërkohë që kandidaturat për deputet kanë filluar të përzgjidhen. Aktualisht, janë përzgjedhur më shumë se 50 për qind e kandidaturave në të gjithë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›