Fullani: Kongoli u shkarkua se shkeli Kodin e Etikës
28/01/2005 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka thënë dje se shkarkimi i Tatjana Kongolit nga posti i asistentes për Integrimin, ka ardhur sepse kjo e fundit ka shkelur Kodin e Etikës së Nëpunësit. Këto komente, Guvernatori Fullani i bëri gjatë një konference për shtyp, ku prezantoi raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë. “Unë nuk kam dalë këtu për të komentuar shkarkimin e Kongolit, por mund t’ju them se Tatjana Kongoli është shkarkuar, sepse ka shkelur Kodin e Etikës së Nëpunësit”, tha Fullani. Tatjana Kongoli, e cila mbante postin e asistentes për Integrimin pranë Guvernatorit, u shkakrkua vetëm 20 ditë pas daljes së saj në krah të liderit demokrat Berisha, si anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave, forumi më i ri në Partinë Demokratike. Rreshtimi i ish-drejtoreshës së Doganave në krah të opozitës ngjalli jo pak reagime në krahun e mazhorancës. Kryeministri Nano, gjatë një analize në Ministrinë e Financave, do ta konsideronte Kongolin si njeri që ka dështuar në postet që i janë besuar nga administrata socialiste.