Ligji për gjendjen civile, Idrizi: PDIU ka gati amendimet
Në takimin e djeshëm me të zgjedhurit lokalë, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, propozoi që me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, të rikthehen eshtrat e Mbretit Zog në atdhe, si dhe të vendoset një monument i Zogut në qendër të Tiranës
TIRANË Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi dje një takim me të gjithë këshilltarët e saj të zgjedhur në nivel lokal, për të shpalosur programin politik, që do të ketë PDIU-ja në pushtetin vendor. Gjatë fjalës së mbajtur, Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi nevojën për zbatimin e amendamenteve të PDIU-së në ligjin për regjistrimin e popullsisë. Idrizi ka sqaruar se PDIU-ja vijon të jetë tërësisht kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare. “Ju e keni ndjerë shqetësimin, që kanë krijuar amendamentet e propozuara nga PDIU-ja dhe të miratuara në parlament, tek kalorësit e helenizmit në Shqipëri, apo tek do subjekte të tjera, minoritetesh të stisur, e të harlisur nga koha pjellore e pluralizmit. Këta njerëz e kanë kuptuar më së miri se hapësira për të manipuluar rezultatet e të ashtuquajturit census, si pasojë e politikës shumëvjeçare të pensioneve, të vizave, etj, është zvogëluar thuajse tërësisht prej amendamenteve tona. Amendamentet tona, të cilat nuk u pranuan të gjitha, janë një kontribut i qartë dhe garancia e vetme që, edhe nëse ky proçes kryhet jashtë vullnetit tonë, asnjë të mos ketë mundësi të abuzojë me vetdeklarimin si një e drejtë objektive që ti të deklarosh të vërtetën dhe jo atë që imponohet me presione e joshje nga politika e vendit fqinj”- tha Idrizi. Kryetari i PDIU-së paralajmëroi se partia, që ai drejton do të propozojë amendamente edhe për ligjin për gjendjen civile, ku disa nene të ligjit për kombësinë u cilësuan antiligjore nga Gjykata Kushtetuese. “Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që nuk është zbardhur akoma, por që kërkon përkufizim të termit “kombësi”, apo “përkatësi etnike”. Ne do presim vendimin, dhe në varësi të tij ne do të kërkojmë amendimin e ligjit ‘Për gjendjen civile’ në mënyrë të tillë që, të kemi koncept të qartë dhe objektiv të kombësisë, e cila saktësohet vetëm në zyrën e gjendjes civile mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazë vetëshpalljesh momentale të frymëzuara nga emocionet apo nga shtrëngesat e tranzicionit”, - tha Idrizi. Kryetari i PDIU-së bëri publike edhe
paketën e PDIU-së, për njësitë e pushtetit lokal. Një ndër pikat e paketës përfshin edhe rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe, vendosjen e një varreze të vogël të familjes mbretërore, si dhe vendosjen e një monumenti të madh të Mbretit në qendër të Tiranës, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Gjatë takimit, deputeti tjetër i PDIU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi ndër të tjera se të gjithë të zgjedhurit e pushtetit vendor duhet të mbështesin çështjet kombëtare. Ndërsa, Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini ftoi të gjithë të zgjedhurit në këshillat komunalë dhe bashkiak si edhe kryetarët e komunave dhe bashkive të zgjedhur nën siglën e PDIU-së, që të punojnë për të çuar në vend premtimet ndaj qytetarëve. “Në këto zgjedhje ne treguam se jemi ndër tre apo katër forcat kryesore politike në vend, në shumicën e qarqeve dhe këtë arritje duhet ta shpërblejmë te të gjithë qytetarët, që na kanë besuar votën”, - tha Muhedini.