Polici i prish atmosferën Bashës
Një punonjës policie i ka prishur atmosferën ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, teksa po deklaronte se strukturat e policisë kanë arritur standarde profesionale, sidomos në përdorimin e armëve dhe ndërhyrjet taktike. Përgëzimet për policinë, Basha i ka bërë në mbarimin e kursit të trajnimit të 35 oficerëve të sektorit të operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që u stërvitën nga forcat speciale elitare RENEA.
Teksa ministri Basha po vlerësonte të gjitha strukturat e policisë si profesionale, duke hedhur poshtë, sipas tij, llafet, ka ardhur edhe një rast flagrant, ku një punonjës policie është vetëplagosur nga pakujdesia. Bëhet fjalë për një oficer policie që shërben në Tiranë dhe që rrugës për në shtëpi i ka shkrepur arma dhe është plagosur lehtë në këmbë. Ditën e djeshme, kur ministri i Brendshëm u pyet në lidhje me nivelin profesional të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, ai është shprehur se “Forcat e policisë kanë demonstruar nëpërmjet rezultateve dhe jo llafeve se janë ngritur absolutisht në nivelin e policive europiane dhe se treguesit e luftës kundër kriminalitetit demonstrojnë se Shqipëria është një vend më se i sigurt, me mesatare të indikatorëve kryesorë të kriminalitetit nën mesataren e BE-së”. “Ftoj ata që mundohen t’u ofrojnë shqiptarëve xhama të zinj për të parë këtë realitet që flet qartë, t’i heqin ato xhama dhe ç’është më e rëndësishmja të heqin dorë nga provokimi dhe rekrutimi i elementëve kriminalë për kauzat e tyre”, tha Basha. Por, nga ana tjetër, burimet policore bëjnë të ditur se oficeri i policisë, Henerigert H., ka qenë duke shkuar në shtëpi kur është vetëplagosur nga pakujdesia. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur te zona e Unazës së Re, kur ai kishte dalë në anë të rrugës për nevoja personale. Në ato momente, sipas dëshmisë, i ka rrëshqitur këmba, për shkak të terrenit të vështirë dhe arma ka bërë qitje të pavullnetshme, pasi nuk e kishte lënë në siguresë. I dëmtuari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia po heton për këtë ngjarje.
Ndërsa në takimin me median, Basha vlerësoi performancën dhe aftësitë profesionale të forcave operacionale speciale RENEA për shumë prej aksioneve të Policisë së Shtetit, si dhe në përballimin e situatave të vështira, në rastet kur është kërkuar ndihma e këtyre efektivëve. Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se opinioni publik është i mirinformuar mbi repartin RENEA, i quajtur ndryshe elita e policisë shqiptare, një nga repartet më të mira të Ballkanit, pasi tregues janë veprimet e suksesshme që ky repart ka kryer në situata të vështira pengmarrje, tentativa pengmarrjeje dhe situata të tjera. “Aftësitë, përgatitja profesionale, përkushtimi i oficerëve të RENEA-s dhe rezultatet e operacioneve të tyre janë kthyer në një legjendë urbane të mirënjohur dhe të duartrokitur nga qytetarët shqiptarë”, tha Basha. “Ajo që kemi parë është procesi i transferimit të përvojës, dijeve, përgatitjes operacionale taktike të këtij reparti elitë ndaj një reparti të ri të sapokrijuar në Qarkun e Tiranës, i cili së bashku me përgatitjen operacionale taktike, meriton mandatin e kryerjes së veprimtarisë që deri më sot është mbuluar nga RENEA, në gjithë Qarkun e Tiranës”, shtoi Basha. Ai vuri në dukje se 35 oficerët e kësaj njësie speciale janë dallëndyshja e parë e shumëfishimit nëpërmjet trajnimit dhe ritrajnimit të përvojës elitare të repartit RENEA. Sipas tij, njësi të ngjashme do të ngrihen anembanë vendit. “Ky demonstrim që patë sot padyshim do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë strukturave të tjera të policisë në situata të vështira dhe për të shumëfishuar suksesin e RENEA-s në gjithë territorin e vendit. Bashkëpunimi me RENEA-n do të vazhdojë në nivelin operacional dhe ç’është më e rëndësishmja në nivelin e përgatitjes operacionale taktike, çka do të thotë që sot këtij reparti elitar i shprehim mirënjohjen tonë jo vetëm për sukseset operative, por edhe për faktin se që nga sot është certifikuar si një shkollë e përgatitjes elitare të oficerëve të Policisë së Shtetit anembanë vendit”, përfundoi Basha.
#