E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 janari”, Gumi: Jemi të certifikuar për të dhënat e SHISH

18/02/2011  Komisioni konfirmoi dje se ka mbledhur të gjithë informacionin e kërkuar

Në mbledhjen e radhës, të zhvilluar paraditen e djeshme nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit, kreu i komisionit, Eduart Halimi, duke anashkaluar Presidencën, njoftoi se të gjitha institucionet e tjera kanë bashkëpunuar me komisionin, përfshirë këtu dhe SHISH-in. “Në komision kanë ardhur dhe të gjitha informacionet e kërkuara nga të gjitha institucionet shtetërore. Ka ardhur gjithashtu informacioni nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, një informacion i cili është sekret dhe si i tillë do të trajtohet nga komisioni. Gjithashtu kanë ardhur informacione edhe nga të gjitha degët e SHISH-it, të cilat kanë përcjellë pranë këtij komisioni informacionin që ne i kemi kërkuar atyre ditë më parë, sipas afatit”, u shpreh Halimi. Gjithashtu, duke shfrytëzuar rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, anëtari i këtij komisioni, Viktor Gumi, bëri me dije se “në datën 27 janar 2011 të gjithë anëtarët e komisionit dhe stafi përkatës janë pajisur me certifikatat e sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Më pas në fjalën e tij, Gumi shtoi se në objektin hetimor të Parlamentit do të ketë dhe trajtime të materialeve që janë klasifikuar sipas dokumentacionit shqiptar. Nga ana tjetër, kreu i komisionit, Halimi, siguroi se në një nga seancat e ardhshme të këtij komisioni do të thirret së shpejti dhe kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri.

Shtyrjet e punimeve

Kreu i komisionit të “21 janarit”, Eduard Halimi shpjegoi arsyen e shtyrjeve të seancave të komisionit. “Mbledhja është shtyrë për shkak të angazhimeve që kanë pasur deputetët në komisionet e përhershme parlamentare. Ndaj mbledhja e ditës së hënë u bë ditën e sotme (dje)”, tha Halimi, i cili shtoi se seanca me kreun e SHISH, ku ky i fundit do të pyetej rreth ngjarjeve, u shty me kërkesë të Komisionit Hetimor.

Drita jeshile

“Drejtoria e Sigurimit të Informacionit para disa ditëve ka lajmëruar zyrtarisht rikonfirmimin e certifikatave të sigurisë dhe në këto kushte komisioni ka dritën jeshile të hapur për të vijuar me kërkimin dhe administrimin e atyre të dhënave që ne i kemi diskutuar si në mbledhjet e hapura, dhe në vijim të mbledhjeve të tyre nga Shërbimi Informativ Shtetëror”, tha Viktor Gumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›