Kartat, Islami: 1 milion shtetas pa pasaporta
Partia Socialiste dha dje propozime të reja për të dalë nga ritmi i ngadaltë në pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sekretari për çështjet elektorale, Kastriot Islami, tha dje se janë rreth 1 milion shtetas pa pasaporta për jashtë, të cilët duhet të pajisen me karta. Përmes një deklarate për mediat, Islami theksoi se është e nevojshme të lejohen për të aplikuar të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaportë dhe të mbahet emri i tij shënim, të punohet të shtunave dhe të dielave dhe orari i punës të mbyllet në orën 19:00. “Orari i punës për të gjithë pikat të jetë deri në orën 19:00, në mënyrë që të mund të aplikojnë edhe ata që janë në punë, arsyetimi se për shkak të aplikimeve të pakta nuk punohet pasdite është jorealist e demotivues. Veprim i të gjithë pikave edhe ditën e shtunë dhe në rast se nga llogaritjet për ndonjë bashki apo komunë kërkohet më shumë kohë të parashikohet edhe e diela ditë pune”, deklaroi Islami. Sipas tij, nëse ecet me ritmin e deritanishëm, 300 mijë zgjedhës rrezikojnë të mbeten pa votuar. Ndër të tjera PS-ja bën të ditur se nuk do të lejojë asnjë përpjekje për manipulim nga ana e Partisë Demokratike. “Partia Socialiste nuk do të lejojë që paaftësia apo qëllimi i kësaj qeverie për të mos pajisur me karta një numër të caktuar votuesish pa pasaportë të kthehet në një manipulim të sofistikuar që ndryshon rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi Islami përpara gazetarëve.