Salihi, një tjetër gol për vendin e titullarit
Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë. Në katër javët e fundit ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asist. Është Hamdi Salihi, njeriu i momentit te Riedi dhe padyshim që të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga ai për ndeshjet kundër Hungarisë dhe Danimarkës. Bomberi shkodran ka shënuar dje kundër Altahut dhe ka ndihmuar skuadrën e tij të fitonte me rezultatin 3-2. Në minutën e 66-të ai ka shfrytëzuar një goditje këndi nga krahu i djathtë dhe pasi ka fituar duelin në ajër me mbrojtësit kundërshtarë e ka gjuajtur fuqishëm topin me kokë, duke e dërguar në rrjetë atë. “Jam i kënaqur. Jo vetëm që shënova, por edhe sepse skuadra fitoi. Mund të kishim barazuar në këtë ndeshje, por edhe fati na ndihmoi. Shpresoj që me këto ritme të vazhdoj edhe në Kombëtare, nëse trajneri Ari Han do të ma japë shansin. Tani mund të them se jam në formë optimale”, tha sulmuesi i përfaqësueses për “Panorama”.
Edgar Çani dopietë
Sulmuesi tiranas, Edgar Çani, ka realizuar dy gola për Askolin, që barazoi 2-2 me Albinolefen, dje në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Serisë B në Itali. Çani shënoi në minutën e 26-të e të 68-të, për të barazuar rezultatin në 1-1, përkatësisht në 2-2. Ai u zëvendësua shtatë minuta para fundit të takimit dhe u vlerësua lojtari më i mirë i ndeshjes. “Jam shumë i lumtur, sepse kjo është dopieta ime e parë në Serinë B”, ka thënë lojtari për mediat italiane pas ndeshjes.
Rikthehet Lala
Kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë, Altin Lala, është kthyer të luajë në Bundesligën 1, edhe pse ka qëndruar në fushën e lojës vetëm një minutë me barazimin 2-2 në transfertë të Hanoverit ndaj Hofenhaimit. Lala hyri në minutën e parë shtesë në vend të Shulcit. Ai nuk luante që nga 1 nëntori i vitit të kaluar për shkak të një dëmtimi.
Skela humb në shtëpi
Energi Kotbusi, ku aktivizohet Ervin Skela, u mposht 2-0 dje në shtëpi nga Këlni, në takimin e vlefshëm për javën e 25-të të Bundesligës 1. Mesfushori i përfaqësueses së Shqipërisë, Skela, luajti gjatë të gjithë ndeshjes. Kotbusi është i parafundit me 20 pikë.
Kapllani mundet
Sulmuesi Edmond Kapllani ka luajtur nga minuta e 77-të për Karlsruhen, që u mposht 1-0 nga Bajerni dje në Mynih. 26-vjeçari Kapllani zëvendësoi Freisin. Ai ka luajtur 17 ndeshje këtë sezon, por ende është në pritje të golit të parë. Karlsruhe është e fundit (18) në klasifikim me vetëm 17 pikë.
Jetmir Halilaj