KQZ, rregulla të reja për kandidatët
BLEDAR HOTI
Rregullat e reja të sanksionuara në Kodit Zgjedhor e vështirësojnë procedurën e konkurrimit në këto zgjedhje të partive jo parlamentare.
Partitë parlamentare kanë përcaktuar në Kodin Zgjedhor kritere përjashtuese për subjektet që nuk kanë një deputet në Kuvendin aktual. Vështirësitë lidhen në të njëjtë kohë edhe me kandidatët e pavarur për deputetët, të cilët duhet t’i futen një procedure jo shumë të lehtë për t’u përfshirë në betejën e 28 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje modelet e kandidimit të partive politike parlamentare dhe jo parlamentare. Në mbledhjen e djeshme KQZ-ja ka përcaktuar gjithashtu edhe modelin që duhet të plotësojnë kandidatët e pavarur si deputet për zgjedhjet e 28 qershorit. Të gjitha modelet e paraqitura u miratuan nga ana e shtatë anëtarëve të KQZ-së, të cilët kanë pezull pa përcaktuar se firma i duhen partive politike jo parlamentare për të mbledhur. Në bazë të Kodit Zgjedhor, listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 10 000 zgjedhës. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 15 000 zgjedhësve. Në ligjin zgjedhor, bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit. Ndërsa ende nuk është përcaktuar numri i mbështetësve duhet të merret në rang qarku apo zone zgjedhore. Ndërsa për kandidatët e pavarur të partive politike duhen firmat e 1 për qind të zgjedhësve në rang zone zgjedhore. Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij Kodi. Jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Kandidati që përfshihet në listën shumëemërore duhet të plotësojnë një deklaratë personale mbi të cilën pranon në kandidojnë për këtë subjekt apo koalicion politik. Në të njëjtën kohë duhet që të person që kandidon nuk është përfshirë në listat e partive të tjera. Ndërsa janë miratuar të 33 trajnuesit e Komisioneve të Zonave të Administrimit, partitë politike rrezikojnë të djegin afatin e ngritjes së këtyre strukturave kaq të rëndësishme për zgjedhjet e 28 qershorit. Në bazë të nenit 28 të Kodit Zgjedhor “Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”. Sipas burimeve pranë KQZ-së, deri më tani vetëm PD-ja dhe PSD-ja kanë paraqitur emrat për anëtarët e KZAZ. Depozitimi i kërkesave duhet të nisej që nga 13 marsi, ndërsa data 28 mars është afati i fundit i ngritjes së tyre. KQZ e sheh primare ngritjen KZAZ, pasi duhet të trajnohen të gjithë anëtarët.
rregullat e kandidimit
Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 10 000 zgjedhës.
Në rastin e koalicionit zgjedhor listat duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 15 000 zgjedhësve.
Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit
Në shkallë qarku kandidatët e pavarur duhet të mbledhin firmat e zgjedhësve deri në 1% të votuesve në rang zone zgjedhore.
Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse.
Komiteti është i ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin.
Jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit.
Partitë parlamentare që konkurrojnë duhet të plotësojnë një formular ku jepet numri i mandateve që disponojnë
Çdo kandidat që futet në listën e zgjedhësve duhet të plotësojë një deklaratë, në të cilën pranon të garojë për këtë subjekt.
Deklarata njëkohësisht përmban dhe faktin se ai nuk ka konkurruar në ndonjë zonë tjetër zgjedhore apo për ndonjë subjekt tjetër politik apo si i pavarur.