E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Filumena”,aventura 4-orëshe e grave të burgut

 

ALMA MILE

Shumë prej tyre nuk kishte parë ndonjëherë teatër prej “vërteti”. Kishin parë në televizor, por asnjëherë nuk kishin pasur mundësi të shijonin ndjesinë e të qenurit spektator. Vetëm njëra mes tyre e njihte këtë shije dhe i lexohej në fytyrë ajo krenari e vogël, që diç dinte më shumë se të tjerat. E ndoshta edhe sikur asgjë të mos kishte ngjarë në jetën e tyre, sikur koha të kthehej pas e të mos kishte as krim, as burg, nuk do ta kishin çuar kurrë ndër mend një gjë të tillë. E të paktën diçka pozitive doli nga i gjithë ky mjerim. Ato nuk hynë nga dera kryesore si gjithë të tjerët. Pasi dolën një nga një nga furgoni ngjyrë blu, mes shiut, që nuk donte të ndalonte atë ditë, hynë nga dera e prapme, të shoqëruara nga punonjëset me uniformë. U vendosën në radhën e dytë të sallës e mes hutimit dhe kureshtjes, pritën me durim që salla të mbushej me spektatorët e zakonshëm, që nuk kishin nevojë të ruheshin si ato. Ndërkohë u hodhën një sy fletëpalosjeve, që u shpërndahen spektatorëve, për të krijuar një ide mbi veprën që do të shohin. Janë 19. Shumica, të veshura me rrobat më të mira që u gjendeshin, për raste të veçanta, por kishte dhe nga ato që e kishin marrë më “lehtë” e kishin preferuar të vinin me kostume sportive të rehatshme. Ndryshe nga spektatorët e tjerë, që ndjejnë se ato janë në sallë, vetëm prej pranisë me shumicë të uniformave blu, ato vuajnë dënimin në burgun e grave. Disa prej tyre i ndajnë vetëm pak muaj nga shijimi i lirisë. U kry edhe për to. Ndërsa të tjerat janë përzgjedhur mes shumë grave të dënuara, për sjelljen e tyre pozitive. Shefi i uniformave blu, i cili jep e merr me radio marrëse, thotë se shumica janë të dënuara për “krime të lehta”. “Kanë spikatur mes të dënuarave të tjera për sjelljen e tyre”, - thotë ai, duke shtuar se me këtë rast mundohen t’u “largojnë disi stresin”, që shkakton koha e gjatë në qeli. Dhe duket se e kanë merituar të parën shfaqje teatri në jetën e tyre. “Qyqja, nuk e kisha mendu kurr n’jetë me ardh n’teatër. Duhet t’kisha ra n’burg, që të shihja një shfaqje”, - thotë një vajzë imcake, me flokë të kuq. Albana, një zonjë zeshkane, e veshur mirë, tek të 40-at, nuk e ka për herë të parë ardhjen në teatër. “”Filumena Marturano” është një kryevepër. E kam parë edhe 10 vjet më parë”, - thotë ajo. Kur e pyet mbi ndjesinë e të qenurit sërish spektatore në teatër, ajo thotë se përveçse është një kënaqësi e veçantë, është edhe “një copë lirije”. Jo më kot është përzgjedhur “Filumena Marturano” një dramë ku rrinë bashkë tragjikja dhe komikja, që përcjell një mesazh të fortë, sidomos për gratë. Drama fillon me ulërimat inatçore të Bujar Asqeriut, në rolin e Don Domenikos, një mesoburri në gjendje të mirë ekonomike, që nuk mund t’ia falë Filumenës, gruas që bashkëjeton, dredhinë që e futi në grackën e martesës. Disave u kalojnë të ngjethura, ani pse është teatër e aktorët bëjnë “gjoja”. Sa herë i kanë dëgjuar ato këto nota të larta të zëri, për arsye banale, për hiçmosgjë... Ndoshta e ndiejnë veten pak Filumenë, por jo, jo, ato nuk mund të jenë si ajo. Filumena, e interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, është e qetë, mospërfillëse ndaj zallamahisë që krijon Don Domeniko në tërbimin e tij. Ajo e di fare mirë se çfarë do. Dëshironte një martesë, që e arriti, pavarësisht mënyrës dhe i ka mbetur vetëm të arrijë të sigurojë mbiemrin e atësisë për tre djemtë e saj, të lindur me burra të ndryshëm. Ato janë të qeta. Tek-tuk shkëmbejnë ndonjë pëshpërimë me shoqen përkrahë. “Kjo është Yllka Mujo”, dëgjohet zëri i Albanës, tek i tregon shoqes ngjitur, një vajze të re, me flokë të gjata, pis të zeza, që nuk nguron të bëjë edhe një koment mbi pamjen e aktores. Ndjekim me vëmendje çdo lëvizje të aktorëve. Qeshin me batutat e tyre, por edhe përloten me rrëfimin e Filumenës. E nisin gjallërohen pak, kur në skenë hyjnë djemtë e Filumenës, sidomos me lojën e Arben Derhemit, që luan rolin e Rikardos, këmishashitësit. “Ua, ua, po gjuan femra ky...”. “Hahaha, sa karagjoz që është”, “Iii po qan vërtetë...”, ... Kur shfaqja po i afrohej fundit, duket se disave iu sos durimi. Kishin dalë qysh në orën 18:00, kishin pritur 2 orë në fugon dhe të ftohtët e sallës së teatrit të fuste të dridhurat. Disa nga shpejtësia nuk kishin marrë xhupat me vete, por ndoshta mendonin se në teatër bën ngrohtë (!). Pastaj uria bënte të vetën. Këmbët e ftohta dhe orët e gjata të pritjes, shkaktonin uturima në stomak. “Mos u bëj si kalaman i shpajf. E kishe marrë xhupin kur dole...”. Kur shfaqja kishte arritur drejt finales, të shqetësuara për fatin e Filumenës, pëshpërimat u ngritën ca më tepër. Teksa shihnin aktoren të qante, ndonjë edhe mendoi se Filumena do të vdiste... Kur më në fund gjithçka mbaroi, të përlotura, ato ishin të parat që u ngritën në këmbë për të duartrokitur. “Shumë i bukur, shumë i bukur!!1”. “Kemi qajt”. “Na qetësoi trunin”... Kur i pyet se cili prej aktorët u pëlqeu më shumë, dikush thotë Yllka, një tjetër Tinka, ndërsa një vajzë e re thotë.. Flori!!! E kishte fjalën për Arben Derhemin, të cilin e mbante mend me emrin e personazhit që interpretonte në telenovelën “Njerëz dhe fate”, të shfaqur vite më parë në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar. Ashtu edhe si hynë, ato nuk dolën bashkë me spektatorët e tjerë. Punonjësit që i shoqëronin u thanë të prisnin e ato pritën më këmbë, deri në zbrazjen e sallës, për të dalë sërish një nga një nga dera e pasme, për të hyrë në fugonin ngjyrë blu. Sikur gjithçka të ishte kthyer kundër tyre, duhet të ndodhnin në të njëjtën ditë edhe defekti elektrik, edhe shiu, edhe të ftohtët, edhe fillimi me vonesë i shfaqjes. Por duket se fundi i shpërbleu të gjitha. Ato dukeshin boll të kënaqura dhe për një kohë të gjatë do të kenë se ç’të diskutojnë mes tyre, apo t’u tregojnë shoqeve, që nuk patën mundësinë të ishin bashkë me to.

Në rreshtin e dytë

“Qyqja, nuk e kisha mendu kurr n’jetë me ardh n’teatër”.
“Duhet t’kisha ra n’burg, që të shihja një shfaqje”
“Mos u bëj si kalaman i shpajf”
“Ua, ua, po gjuan femra ky...”
“Shih ç’karagjoz që është..”
“Ngrimë së ftofti”
“Më mori urija”
“Na qetësoi trunin”
“Na ka bo me qajt”
“Më pëlqeu më shumë Flori (Arben Derhemi)”

Masat e sigurisë
Mbrëmjen e së premtes dukej se në teatër kishte më shumë uniforma blu se spektatorë. Jo vetëm për faktin se “Filumena Marturano” bënte shfaqjen e saj të 11-të, por edhe për shkak të kohës së keqe, salla e Teatrit Kombëtar nuk u mbush plot me spektatorë. Nga njëra, kjo u pa si anë pozitive. Ndoshta publiku i shumtë do të kishte shtuar më shumë konfuzionin e shkaktuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe prania e uniformave blu në teatër. Të dy korridoret anësorë të sallës “Kadri Roshi” ishin qarkuar nga një kordon policësh, që nuk lejonin që spektatorët të kalonin për në radhët e para të karrigeve. Përveç tyre, në rreshtin e parë dhe të tretë të sallës kishte të tjerë policë, por edhe punonjës civilë të burgut, apo punonjës socialë. Edhe midis të dënuarave, mes çdo katër syresh, ishin vendosur punonjëse me uniformë, që mbanin nën mbikëqyrje çdo veprim të grave, edhe pse ato ishin tepër të qeta. Madje më të qeta edhe se spektatorët e zakonshëm të teatrit, që duke shfrytëzuar lirinë e tyre qeshnin e reagonin në mënyrë euforike, edhe kur nuk kishte ndonjë batutë shumë të fortë.

Mungesa e energjisë,shtyn shfaqjen për 1 orë

Ndryshe nga herët e tjera, Teatri Kombëtar të pret në terr. Bie shi dhe njerëzit edhe pse preferojnë të qëndrojnë në dritën që hedhin kah rruga poçat e Ministrisë së Brendshme, futen në hollin e teatrit. Si elektrikë dore shërbejnë dritat e celularëve. Nuk ka energji elektrike. Një defekt i rëndë ka prerë rrymën në Teatrin Kombëtar dhe ndonëse punonjësit e KESH-it thonë se gjithçka do të rregullohet për 10 minuta, kalojnë disa syresh dhe ende sundon terri. Biletashitësja nuk pranon të shesë bileta. Nuk i dihet ç’mund të ndodhë. Ata që kanë blerë bileta e janë të ngeshëm shfrytëzojnë rastin për të bërë një copë muhabet mes tyre. Një grup të rinjsh mundohen të deshifrojnë se çfarë do të thotë MTKRS dhe gjithçka del aty, mjedis, transport, por vetëm kulturë jo. Të tjerë fillojnë të humbasin durimin dhe nuk kanë faj. Kanë ardhur nëpër shi për të parë dramën dhe tani duhet të kthehen pa parë asgjë. “Kjo është absurde. Këto gjëra ndodhin vetëm në Shqipëri”, - dëgjohet një zë i inatosur. Një nga punonjëset e Teatrit Kombëtar njofton se energjia do të rikthehet pas 10 minutash. Dikush e uroi “Të lumtë goja”. Por ikën disa 10-minutësha dhe dritat (siç themi rëndom) nuk erdhën. Kur durimit po i vinte fundi, doli të bisedonte me ta, zv/drejtori i TK-së, i cili tha se pritet që defekti të rregullohet, por nëse njerëzit nuk mund të presin më, ose do të vijnë të nesërmen të tërheqin paratë e biletave, ose me ato që kanë blerë do të mund të shohin teatrin në mbrëmje. Energjia erdhi rreth orës 19:50. Atëherë ishte momenti që të dilnin nga fugoni ku prisnin prej gati dy orësh edhe 19 të dënuarat e burgut të grave, të cilat zunë vend në sallë, përpara të tjerëve. Pasi të gjithë spektatorët zunë vend, ishte sërish zv/drejtori që u ngjit në skenë dhe u kërkoi ndjesë për defektin. Ai njoftoi gjithashtu se shfaqja do të niste pas 10 apo 15 minutash, derisa aktorët, të bëheshin gati. Shfaqja nisi rreth orës 20:15 dhe mbaroi rreth orës 22:00.

Shfaqja,dhurata për 8 Mars
Ideja për këtë ngjarje të veçantë lindi në 8 mars, në festën e gruas, kur aktorja Tinka Kurti bëri një vizitë në burgun e grave në Tiranë. Ishte pikërisht aktorja, që i ftoi gratë të vinin në teatër e të ndiqnin një shfaqje ku ajo interpretonte një nga rolet kryesore, atë të shërbyeses Rozali, një plake të mirë, që i detyron jetën e vet, zonjës Filumenë. Drejtoresha e Institucionit të Vuajtjes së Dënimit 325 në Tiranë, Irena Çela, thotë se “përmes këtij aktiviteti synojmë të gjallërojmë jetën sociale të këtyre grave dhe përmirësimin e programeve rehabilituese për personat me liri të kufizuar”. Sipas saj, ky nuk është as i pari as i fundit aktivitet që zhvillohet në këtë drejtim. Edhe më parë janë zhvilluar ekspozita, me punë dore të realizuara nga vetë ato, apo nga të tjerët, takime me artistë, dhurime librash nga shtëpi të ndryshme botuese, etj.  Në këtë institucion vuajnë dënimin 102 gra të dënuara për vepra të ndryshme penale, 47 prej të cilave për vrasje. “Këto aktivitete, i ndihmojnë të dënuarat për integrimin në jetë pas daljes nga burgu”, - thotë drejtoresha, e cila gjithashtu shoqëronte 19 të dënuarat në teatër. Kjo ngjarje në jetën e të burgosurave, por edhe të teatrit, u bë e mundur me nismën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me Burgun e Grave 325 dhe atë të Paraburgimit 313 në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›