Bakaj e Plaku, firmosin triumfin e kampionëve
Dinamo u rikthye te fitorja, teksa “mysafiri VIP”, trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, u argëtua me lojtarët e thirrur prej tij në Kombëtare, si me golin e Elis Bakajt të Dinamos ashtu dhe me rolin si portier i detyruar i Elbasanit, të Endri Vrapit. Formacioni i Shkëlqim Muçës, i eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe një javë të zezë në Vlorë, dominoi gjithë takimin në fitoren me Elbasanin (2-0), një ndeshje me faza tensioni pas ndëshkimit me karton të kuq të portierit verdheblu, Alfred Osmani në minutën e 89-të. Mesfushori i talentuar Elis Bakaj realizoi një eurogol në minutën e 22-të, ndërkohë që Sebino Plaku shënoi nga një goditje e lirë në minutën e 89-të, duke bërë të pavlefshëm orvatjen e “portierit” Vrapi. Për Plakun ky ishte goli i tij i 14-të sezonal, duke u barazuar me sulmuesin e Tiranës e Kombëtares shqiptare, Migen Memellin. Dinamo (44 pikë) e ruajti diferencën -4 pikë nga kryesuesit, Tirana e Vllaznia (48 pikë).