E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule pranon ftesën e Ramës për drekë pune

12/10/2011  Kreu socialist thirri dje në një tjetër takim informal aleatët e majtë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi dje në një drekë pune kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe atë të PSV 91, Petro Koçi. Në vijim të takimeve informale me krerët e partive aleate të PS-së, dje ishte radha e këtyre dy drejtuesve që të jepnin mendimet e tyre lidhur me zhvillimet më të fundit politike. Kësisoj, pas një sërë mungesash me radhë në këto tryeza, Dule pranoi ftesën e kreut Rama për drekë pune. E përqendruar vëmendja tek reforma zgjedhore, propozimet e socialistëve mbi një çështje të tillë ishin pjesë e bisedës mes drejtuesve të majtë. Ndërkohë që javën e ardhshme kampi opozitar do të bëjë publike kornizën e përgjithshme të propozimeve të saj mbi reformën zgjedhore, së bashku me një projektrezolutë për integrimin e vendit.

Takimi

Si çdo të martë, krerët e majtë organizuan tryezën e bisedimeve mbi çështje politike. Por duke qenë se në takimet e përjavshme, ku ishin dëgjuar pretendimet e partive aleate të PS-së, kishte munguar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, këtij të fundit iu kërkua nga lidershipi socialist që të ishte prezent në drekën e punës së kësaj jave. Kësisoj, një ftese të tillë kryetari Dule iu përgjigj pozitivisht, ku jo vetëm ishte pjesë e takimit informal, por mësohet se ndau mendime të njëjta lidhur me qëndrimin e PS-së mbi ecurinë e reformave në vend, e kryesisht të asaj zgjedhore.

Deklarata

Opozita e Bashkuar do të shpalosë të martën e ardhshme platformën lidhur me reformën zgjedhore, si dhe do të përcaktohet qartazi pozicioni i saj përballë kundërshtarit politik mbi një çështje të tillë. Ishte koordinatori i këtij koalicioni, Preç Zogaj, ai i cili bëri me dije se “më 18 tetor do të diskutohet qëndrimi i opozitës pas publikimit të progresraportit të Komisionit Evropian. Do të bëhet një sintezë për propozimet e opozitës, si është pritur integrimi e ku po shkon ky proces, si edhe do të miratojmë edhe një kuadër parimesh për reformën zgjedhore”.

Hysi: PD të reflektojë, duhet të nisë puna për reformën

Deputetja e PS, Vasilika Hysi, njëkohësisht edhe negociatore e opozitës për reformën zgjedhore, shprehu shqetësimin e kësaj partie lidhur me neglizhencën që po tregon mazhoranca në drejtim të realizimit të ndërhyrjeve të reja në ligjin elektoral. “Ajo që ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë është që grupi i reformës zgjedhore të fillojë sa më shpejt nga puna. Dhe për sa u përket të gjitha problemeve që kanë lindur në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në vitin 2011, të diskutohen midis ekspertëve dhe partive politike, jo vetëm Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, por dhe partive të tjera”, u shpreh Hysi. Madje, po në këtë drejtim, ajo kërkoi që “të thirret mendimi i ekspertëve dhe konstitucionalistëve dhe në rast se ka nevojë që për çështje të caktuara duhet të merret mendimi i OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, kjo duhet bërë. Nga ana e PD vihet re një ngurrim, çka unë do ta përktheja një mungesë vullneti për të bërë një reformë zgjedhore të plotë dhe për ti dhënë njëherë e mirë zgjidhje fund problemeve në vitin 2009 e 2011”. Sipas saj, reforma duhet të kishte nisur me qëllim të përfundonte deri në muajin mars. “Ajo që është shumë e rëndësishme është se ne duhet të bëjmë një reformë të plotë zgjedhore të mirëmenduar dhe aspak të nxituar dhe kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar që kjo reformë të fillojë dhe të mbarojë deri në muajin mars”, vlerësoi Hysi.

Dega e PS-së në Itali

Kongresi, kërkohet një vend në Kuvend

“Kërkojmë që të caktohet një deputet zone për Italinë, siç e kanë të gjitha degët e tjera të PS-së në Shqipëri”. Kjo është një nga kërkesat që duket se dega e PS-së në Itali do ti dërgojë Kongresit të Partisë Socialiste, që do të mbahet në Tiranë më 5 nëntor. Ishte kryekoordinatori i degëve të PS-së në Itali, Edmond Kumaraku, ai i cili sqaroi lidhur me kërkesat që kjo degë do ti delegojë kongresit të ri socialist. “Duam ti paraqesim kongresit të PS-së kërkesat tona, që kanë si qëllim dhënien e një peshe më të madhe në vendimmarrje të shqiptarëve që jetojnë në Itali. Kërkesat do të kristalizohen në asamblenë e 22 tetorit, tani jemi duke i mbledhur ato nga degët e ndryshme në Itali”, u shpreh Kumaraku. Sipas tij, këto kërkesa kanë të bëjnë me të drejtën efektive të votës së emigrantëve përmes postës (dhe jo në struktura si konsullata e ambasada apo elektronikës), përfaqësim më të lartë të emigrantëve shqiptarë në Itali në forumet drejtuese të partisë, e drejta për anëtarët e asamblesë së përgjithshme të degëve të PS-së në Itali, të jenë anëtarë edhe në asambletë e degëve të PS-së në qytetet përkatëse shqiptare nga janë këta emigrantë, vetëvendosjen e asambleve të degëve të Italisë në zgjedhjen e koordinatorëve dhe të kryekoordinatorit, ndryshimit të emërimit të tyre nga “koordinatorë” në “kryetarë”, si dhe përfaqësimin me një deputet të emigrantëve socialistë në Itali. “Jemi në Itali mbi 500 mijë shqiptarë, pse të mos kemi zë në vendimmarrjen, qoftë të partive ku jemi të aktivizuar, qoftë në parlament?”, theksoi Kumaraku. Të gjitha kërkesat tona, të mësipërmet e të tjera, që do të votohen përfundimisht më 22 tetor, do tia çojmë kongresit të Partisë Socialiste, në të cilin, si degë e Italisë, kemi 6 delegatë permanentë me të drejtë vote dhe 15 të ftuar”, vlerësoi ai. Në gjykimin e socialistëve shqiptarë në Itali, nëse u jepet e drejta e votës me anë të postës, komuniteti atje mund të propozojë kandidatët të zgjedhur mes emigrantëve e më pas ti votojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›