E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërdorimi i ujit të pijshëm, nën monitorim 150 lavazhe

12/10/2011   Policia bashkiake dhe Ujësjellësi zbresin në terren për të penalizuar abuzuesit

Të gjitha lavazhet në kryeqytet do t’u nënshtrohen monitorimeve të rrepta për shpërdorimin e ujit të pijshëm. Pas sinjalizimeve të lëshuara, drejtoria e Ujësjellësit dhe policia bashkiake kanë zbritur në terren për të monitoruar këto subjekte që prej kohësh janë kthyer në burime kërcënimi sa i takon shpërdorimit të ujit të pijshëm. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 150 lavazhe të licencuara e të palicencuara që do të kontrollohen. Kreu i Ujësjellësit, Sahit Dollapi ka thënë dje se do të ndërmerren masa të ashpra penalizuese ndaj të gjitha atyre që përdorin ujin e pijshëm, duke ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve. "Ky aksion do të jetë i vazhdueshëm jo vetëm për lavazhet, po për të gjitha subjektet që shpërdorojnë ujin. Dje ne bëmë kontrollin totalisht në mënyrën e furnizimit të ujit, uji është i përdorshëm apo jo, si dhe dokumentacionin teknik nga strukturat e bashkisë", ka pohuar dje Dollapi. Aksionit do t’i vijë në ndihmë edhe policia bashkiake. "Në bashkëpunim me strukturat e Ujësjellës-Kanalizimeve sot po ndërmarrim një aksion në lidhje me lavazhet e palicencuara. Ne jemi në mbështetje të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe do të ndërmarrim të gjitha masat që të mos ekzistojnë më lavazhe të palicencuara në territorin e Tiranës", ka deklaruar kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›