E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria e Kosova kërkojnë integrimin në BE, jo bashkimin e tyre

12/10/2011  Presidenti u përgjigjet mediave turke në lidhje me çështjen e kosovës Kosovë

Qëllimi i Shqipërisë nuk është bashkimi i saj me Kosovën, por është integrimi i përbashkët evropian i të dyja vendeve. Kjo është deklarata e djeshme e Presidentit të Republikës, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Biznesit Turko-Shqiptar, ku Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të përfaqësuesve të disa mediave turke. I pyetur nga gazeta “Hyriet Daily News” për një ndonjë probabilitet të mundshëm të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, Topi iu përgjigj duke thënë se dy shtetet shqiptare aspirojnë që një ditë sa më të afërt të jenë pjesë e BE-së, dhe jo një shtet i vetëm. “Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, të cilat kanë një aspiratë. Edhe Shqipëria, edhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në kuptimin simbolik bashkimi, unë e kam thënë vazhdimisht këtë, ndodh në Bruksel, siç do të ndodhë për të gjitha vendet e tjera. Dhe ju e dini simbolikën e Brukselit. Është edhe qendra administrative e Evropës së Bashkuar, por atje është dhe selia e NATO-s. Kështu që në të dy simbolikat Shqipëria dhe Kosova në perspektivë do të takohen, në vijim të pyetjes suaj, në Bruksel”, u përgjigj kreut i shtetit. Më pas Presidenti Topi, duke iu referuar situatës në veri të Kosovës, ka shpjeguar dhe qëndrimin zyrtar mbi këtë çështje. “Situata në Kosovë është e pakthyeshme për sa i përket pavarësisë dhe funksionimit si një shtet sovran dhe i pavarur. Kjo është demonstruar edhe nga shtetet më të fuqishme të planetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian, nga Turqia. Për sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Shqipëria ka mbështetur bisedimet dhe i ka inkurajuar këto bisedime. Natyrisht, këto bisedime, sikurse janë shprehur edhe institucionet e Kosovës, do të realizohen për të gjitha çështjet me interes reciprok të karakterit teknik, por nisur nga pozicione të sovranitetit, që do të thotë që Kosova dhe Serbia bisedojnë si dy vende sovrane e të pavarura. Natyrisht që bisedimet kanë edhe komplikacionet e veta, pra, nuk ecin gjithmonë ashtu sikurse kërkohet. Por ky është një proces dhe brenda një procesi ne inkurajojmë që të ketë fluiditet, të ketë vazhdimësi”, u shpreh dje Presidenti Topi në takimin e tij me gazetarët turk.

Këshilli i Biznesit Turko-Shqiptar

Topi: T’i krijojmë mundësi biznesit, për të zhvilluar vetveten

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Turqi, Presidenti i Republikës ishte dje i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Biznesit Turko-Shqiptar, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, duke iu drejtuar biznesmenëve dhe sipërmarrësve shqiptarë e turq të pranishëm në këtë veprimtari, Presidenti Topi theksoi se “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona vazhdojnë të ecin në rrugën e gjatë dhe të drejtë të një miqësie të farkëtuar në shekuj nga dy popujt tanë, që begaton nga niveli i shkëlqyeshëm i marrëdhënieve politike, diplomatike dhe kulturore, që forcohet nga anëtarësia e përbashkët në NATO dhe që nxitet nga aspiratat tona të mëtejshme në lidhje me prosperitetin dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve tanë”. Ndërsa shtoi se “për Shqipërinë, Turqia është një partner strategjik në rajon dhe unë e kam ftuar dhe vazhdoj ta ftoj biznesin turk që të vijë më shumë në Shqipëri dhe në vendet rreth Shqipërisë. Pastaj, është vetë biznesi turk që përcakton se ku do të vijë, se ju e dini që ne nuk jemi ekonomi të centralizuara. I krijojmë mundësi biznesit, por biznesi zhvillon vetveten”. Gjatë takimit Presidenti Topi vlerësoi rolin e veçantë të komunitetit të biznesit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-turke dhe në gjetjen e rrugëzgjidhjeve për të bërë të mundur shfrytëzimin e të gjitha mundësive dhe burimeve për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kuadër, kryetari i shtetit shqiptar nënvizoi rëndësinë e realizmit të më shumë projekteve konkrete për kooperimin në sektorin e energjetikës, në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, si dhe të investimeve të tjera të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin e ekonomisë të të dy vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›