E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Kemi shumë gjëra për të thënë, bëni durim

12/10/2011  Sot publikohet progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë

Komisioni Evropian do të publikojë sot progresraportin vjetor për Shqipërinë, si një nga vendet aspirante për integrimin në Bashkimin Evropian. Një ditë para publikimit të tij, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, refuzoi të bënte ndonjë koment mbi këtë çështje, duke i ftuar të gjithë që të kenë durim deri në publikimin e tij. “Nesër kemi shumë gjëra për të thënë”,tha ambasadori Sequi në promovimin e revistës “Eurospeak”, e cila do të ketë si bazë informimin e shqiptarëve për integrimin evropian. Mesditën e sotme në orën 14.00 në Bruksel do të prezantohet progresraporti i KE për Shqipërinë dhe tek EU Infocenter rreth orës 14:00 do të mund të ndiqet drejtpërsëdrejti konferenca për shtyp e komisionierit Stefan Fyle në Bruksel. Pas konferencës për shtyp të komisionerit Fule, bëri me dije dje ambasadori Sequi, raportin do t’ia paraqesë Presidentit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe kreut të opozitës, si dhe do të organizojë një konferencë shtypi. Një ditë më pas, i dërguari i BE-së në Tiranë do t’ia paraqesë raportin edhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Progresraporti do t’i paraqitet edhe shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit, komunitetit akademik. “Do të shkoj në Shkodër dhe Vlorë për të paraqitur raportin, në mënyrë që të ketë impaktin e duhur edhe jashtë Tiranës, në mënyrë që të mund të flas me segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare”, u shpreh dje kreu i BE-së në Tiranë, Sequi. Ambasadori kërkoi gjithashtu nga qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm për reformat, pasi siç theksoi ai: “Qytetarët e informuar janë kyçi i suksesit të Shqipërisë për procesin e integrimit”. Për këtë, shtoi më tej gjatë informimit të tij ambasadori, do të ndërmerret një fushatë ku do të jetë e përfshirë pyetja: "Pse është integrimi në favorin tim?”.

Refuzimi i statusit

Komisioni Evropian pritet që sot të prezantojë progresraportin e tij vjetor për vendet që aspirojnë për të marrë statusin e vendit kandidat apo që të nisin bisedimet për anëtarësim në BE. Një nga këto vende është dhe Shqipëria, së cilës sipas opinioneve që vijnë nga Brukseli për të dytin vit radhazi do t’i refuzohet marrja e statusit të vendit kandidat. Shkaqet kryesore të këtij refuzimi janë bërë bojkoti dyvjeçar i opozitës i Parlamentit, si dhe ngërçi politik në të cilin prej shumë kohësh gjendet politika shqiptare. Mungesa e dialogut dhe gjetja e konsensusit për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash është një tjetër arsye e fortë, në të cilën do të jetë dhe referimi i evropianëve për mospranimin e dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë, duke e shtyrë atë të paktën edhe për një vit tjetër.

Ermelinda Meksi

“Për mua është trishtuese tashmë përgjigjja e BE-së për statusin e vendit kandidat. Dhe, sigurisht, kjo përgjigje refuzuese për të dytin vit mendoj se ka nevojë për një qasje tjetër nga politika, për një qasje shumë më të pjekur për të nxjerrë mësime nga këto situatë. Dhe, sigurisht, unë do keqardhem më shumë, nëse në vend që të kemi këtë reflektim, do të nxitojmë për t’i vendosur gishtin fajtorit”, tha dje kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Gerti Bogdani

“Të presim raportin e KE-së, pasi s’mund ta paragjykojmë atë pa dalë akoma. Ndërkohë që është shumë e qartë që ata që e kanë bllokuar procesin e integrimit dhe këtë rrugëtim të Shqipërisë është opozita shqiptare dhe më specifikisht opozita në tërësi. Të bllokosh Parlamentin është kushti themelor mbi të cilin BE-ja ka kërkuar të tejkalohet. Janë disa pika nga rekomandimet e BE-së që kërkojnë 3/5 dhe gjysma kërkon vullnetin e bashkëpunimit pozitë-opozitë”, tha dje deputeti i PD-së.

EUROSPEAK

Revista “Eurospeak” është iniciativë nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) dhe ambasadori Sequi e cilësoi dje si një arritje të madhe, pasi sipas tij, “procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është çështje e gjithë shoqërisë shqiptare, prandaj qytetarët duhet të informohen në lidhje me të drejtat dhe përfitimet që do të kenë nga ky proces”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›