E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita fiton zgjedhjet parlamentare



Socialdemokratët në opozitë dhe dy partnerët e tyre kanë mundur Partinë Demokratike të Sllovenisë në pushtet në zgjedhjet parlamentare. Rezultatet paraprake pas numërimit të 97 për qind të votave, treguan se Socialdemokratët fituan 30.6 për qind, ndërsa partia e kryeministrit Janez Jansha 29.2 për qind. Në bazë të këtyre rezultateve, Socialdemokratët dhe dy partitë e tjera të majta do të kenë 43 nga 90 vendet në parlament, ndërsa koalicioni në pushtet 40 vende.

KABUL
Rrëmbehen 150 punëtorë
Militantët kanë rrëmbyer 150 persona në perëndim të Afganistanit. Të gjithë të rrëmbyerit ishin punëtorë dhe në momentin e rrëmbimit po ndërtonin një bazë për ushtrinë afgane. Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për këto rrëmbime dhe nuk është bërë asnjë kërkesë për lirimin e tyre. Rrëmbimet për përfitime financiare janë një praktikë e zakonshme në Afganistan, por incidenti i mësipërm është më i madhi për nga numri i të rrëmbyerve i cili është shumë më i lartë se herët e tjera.

TURQI
Hetohet vdekja e 13 foshnjave gjatë 24 orëve të fundit
Autoritetet turke po hetojnë vdekjen e 13 foshnjave gjatë 24 orëve të fundit në qytetin perëndimor të Turqisë, Izmir. Drejtori i spitalit ka konfirmuar vdekjen e këtyre foshnjave. Foshnjat kishin lindur para kohe. Një gazetë turke ka thënë se faktor i vdekjes së foshnjave ka qenë infektimi në spital. “Në kushte normale në spital, ne humbim pesë ose gjashtë foshnja në tri ditë dhe më pak se 20 brenda një muaji”,- ka thënë një drejtori i spitalit duke e konsideruar situatën tepër alarmante.

PAKISTAN
Rrëmbehet konsulli i Afganistanit
Persona të armatosur kanë rrëmbyer dje diplomatin afgan në qytetin veriperëndimor pakistanez, Peshavar, ka bërë të ditur policia, njofton Rojter. Incidenti ndodhi dy ditë pasi nga një sulm me makinë bombë u vranë 53 njerëz. Shoferi i konsullit është vrarë pasi sulmuesit kishin hapur zjarr në drejtim të automjetit të diplomatit afgan. Incidentin e ka konfirmuar edhe konsullata afgane në Peshavar. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por autoritetet dyshojnë se këtë e kanë bërë talibanët dhe Al Kaida.

SPANJË
Automjeti bombë vret një ushtar
Një ushtar është vrarë dhe një person tjetër është plagosur mëngjesin e djeshëm nga shpërthimi i një automjeti bombë në qytetin verior spanjoll, Santona. Sulmi ndodhi 24 orë pas dy sulmeve të tjera me automjete bomba në Baski, që plagosën 11 vetë. Nga kjo ngjarje nuk pati të vdekur. Ndërkohë është raportuar se një pjesëtar i grupit separatist ETA i ka njoftuar autoritetet pak kohë para shpërthimit por megjithatë nuk është mundur të parandalohet në kohë që shpërthimi të mos ndodhte.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›