E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule, thirrje Berishës për kompromis me opozitën

Autori i Lajmit: Redaksia
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Në fjalën e tij në seancën e djeshme plenare, Dule ka theksuar se bojkoti i opozitës e bën edhe më të rëndë sfidën e integrimit, duke shtuar se duhet të merren iniciativa për kompromise historike. Dule i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha për kompromis me opozitën, duke marrë, sipas tij, iniciativa të guximshme. Ai theksoi se Berisha duhet të bëjë kompromis edhe në dëm të interesave të tij politike. “Anëtarësimi në BE kërkon reforma të mëdha. Por për këtë reforma duhet prania e opozitës në Kuvend. Prandaj mendoj se duhen ndërmarrë iniciativa të guximshme për kompromis mes mazhorancës dhe opozitës dhe jo vetëm ftesa mediatike. Duhet të hidhet ura konkrete e bashkëpunimit mes palëve dhe kjo bëhet e mundur kur secila prej tyre bën lëshime”, - tha ai. Dule pohoi se si mazhoranca dhe opozita ka objektiva të përbashkëta lidhur me integrimin, prandaj secila prej tyre duhet të kontribuojë për këtë proces. Paraditen e djeshme Dule ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e opozitës, duke e konsideruar atë jo si nevojë ndaj një kërkese të veçantë, që lidhet me hapjen e kutive, por me faktin e cenimit të zgjedhjeve që kanë krijuar për pasojë një qeveri ilegjitime. Dule ka pohuar se duhet të arrihet një kompromis politik mes dy forcave kryesore, edhe pse, sipas tij, deri tani sinjalet janë jopozitive në këtë aspekt. Ish-aleati i Berishës dhe aleat i Ramës, Dule, këshillon këta të fundit të mendojnë për proceset integruese të vendit dhe të mos bëhen pengesë. Madje, Kryetari i PBDNJ e shikon në ekstrem faktin se, nëse nuk gjendet gjuha e dialogut, populli duhet të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›