E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni Moran: “Lufta kundër korrupsionit, përcaktuese në zgjedhjet e qershorit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas takimeve me kryetarët e parlamenteve në konferencën e Nju-Jorkut, u ndal në një vizitë të shkurtër në Uashington, ku zhvilloi disa takime me kongresmenë dhe senatorë demokratë dhe republikanë. Një takim mjaft i veçantë ka qenë ai me kongresmenin demokrat, Xhim Moran, i cili ka vlerësuar punën e bërë nga qeveria në kuadër të luftës korrupsionit. Sipas tij, rezultatet e kësaj lufte ishin përcaktuese në votën e shqiptarëve në zgjedhje. Progresi i mrekullueshëm që kanë arritur shqiptarët, ka pohuar më tej Moran, është një atribut i popullit shqiptar në procesin e tij integrues, është një arritje e madhe e kryeministrit Berisha. “Në takimin që pata me Kryetaren e Parlamentit, e cila është jashtëzakonisht impresionuese, shumë e aftë për të komunikuar, unë konstatova vlerësimin e saj për rëndësinë e madhe që ka anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe sa e rëndësishme ishte që Shqipëria të bëhej një anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut për arsye ushtarake dhe strategjike. E rëndësishme është që Partia Demokratike në Shqipëri u zgjodh për një mandat tjetër dhe se platforma e saj përfshin luftën e vendosur kundër korrupsionit, shtimin e numrit të kompanive private, një ekonomi të fortë dhe investime në infrastrukturë, rrjetin rrugor e hekurudhor, energjinë, si dhe në infrastrukturën njerëzore, për një shkollim të mirë dhe kujdes shëndetësor për të gjithë popullin. Shqipëria mund të bëhet një model për pjesën tjetër të botës, duke pasur parasysh aftësitë ripërtëritëse të popullit dhe vizionin e lidershipit të tij”, - tha ai. Edhe kongesmeni Eliot Engel, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit vlerësoi reformat e bëra nga Qeveria e Shqipërisë si reforma që janë përkthyer në progres. Ai shprehu kënaqësinë se Shqipëria tashmë është aleate në Aleancën e Kombeve të Altantikut të Veriut, ndërsa përgëzoi Topallin për progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE. Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim edhe me senatorin republikan, Xhon Mekkein, i cili në mënyrë të veçantë falënderoi për kontributin e Shqipërisë me trupat paqeruajtëse në Afganistan. "Jam shumë i kënaqur, - tha ai,- që Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s, po progreson edhe në rrugën drejt BE-së. Ju duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja“, - tha ai. Mekkein shtoi se “lidhjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të forta dhe shpresoj të vazhdojmë rrugën bashkë si partnerë”. Kryetarja e Kuvendit dhe senatori Mekkein biseduan edhe për ritmet e zhvillimit ekonomik, si dhe mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri e rajon.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›