E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda, pro integrimit të Shqipërisë në BE

Autori i Lajmit: Redaksia
Finlanda mbështet integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ky pohim është bërë dje nga ambasadori Pasi Patokallio dhe ambasadori i Finlandës për Shqipërinë, me rezidencë në Greqi, Ekki Huittinen, gjatë një takimi që zhvilluan me kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit u theksua vendosmëria e të dyja palëve për të konsoliduar dhe thelluar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira midis dy qeverive dhe dy vendeve në të gjitha fushat. Ambasadorët Patokallio dhe Huittinen i përcollën Kryeministrit urimet e përzemërta nga autoritetet finlandeze dhe i shprehën vendosmërinë e qeverisë finlandeze për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare në hapat e mëtejshëm për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, në veçanti në fushën e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, arsimit, nxitjes së investimeve, mjedisit etj. Kryeministri Berisha i falënderoi ambasadorët për përkrahjen e vazhdueshme që Finlanda i ka dhënë Shqipërisë dhe shprehu vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht në sektorin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve finlandezë për të investuar në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›