E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave dhe pensioneve nis nga 1 korriku 2010

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Pagat dhe pensionet parashikohen të rriten nga 1 korriku i vitit 2010. Ministri i Financave, Ridvan Bode e ka bërë këtë premtim dje në seancën plenare, ku u diskutua buxheti 2010. Në fjalën e tij, ministri Bode tha se buxheti i vitit të ardhshëm propozohet të jetë në shumën e 411 miliardë lekëve ose sa 32% e PBB-së”. Duke e konsideruar buxhetin fillimisht në mbështetje për rritjen e mirëqenies shoqërore, ai tha se, në këtë buxhet përbën një prioritet tjetër të buxhetit 2010. “Në këtë kuadër pagat parashikohen të rriten nga 1 korriku me 4-10% të nivelit ekzistues me një efekt vjetor prej rreth 6 miliardë lekësh. Pensionet nga 1 korriku 2010 do të rriten me 7-15% nga niveli ekzistues me një efekt vjetor prej 5.8 miliardë lekësh, rritje kjo 4-8 herë nga madhësia e inflacionit. Ndërsa, fondet për politikat e mbrojtjes shoqërore rriten me 15% në krahasim me faktin e vitit në vijim”, u shpreh Bode.

Sektorët prioritarë

Bode u shpreh më tej se mbështetja me ritëm më të shpejtë e përmirësimit të shërbimeve në sektorët e shëndetit dhe arsimit publik. Fondet për shëndetësinë rriten me 20% në krahasim me vitin 2009 dhe investimet me 56% në këtë sektor. Ndërsa në arsimin publik respektivisht rriten me 12% dhe 32% në krahasim me vitin në vijim. Sipas Bodes, buxheti në mbështetje të bujqësisë (MBUMK) rritet në krahasim me vitin 2009, duke rritur fondet për ujitjen, për programin e ullirit si dhe mbështetjen e buxheteve të familjeve e individëve për nxitjen e rritjes së prodhimit bujqësor e blegtoral.

Deficiti buxhetor

Ministri ka bërë edhe njëherë të ditur në fjalën e tij se, prioritet i buxhetit 2010 është ulja e mëtejshme e deficitit buxhetor dhe borxhit publik në tërësi. Deficiti i vitit të ardhshëm do të jetë sa 3.9% e PBB dhe borxhi publik mendohet të ulet edhe me të paktën 1 pikë përqindje ndaj PBB. Kapërcimi i presionit të krizës me ulje të mëtejshme të huamarrjes së re gjatë vitit 2009 dhe një rritje e lehtë prej 1.5 pikë përqindje e borxhit publik, e ardhur nga rritja e kursit të këmbimit, na jep siguri për përmirësimin e mëtejshëm të këtij treguesi për 2010. Rritja e kostos së shërbimit të borxhit publik, që reflekton zhvillimet në sistemin financiar botëror, përbën një sfidë për qeverinë që gjatë vitit të ardhshëm të ri financojë pjesë të këtij borxhi me kosto më të ulët. Sipas Ministrit, Ministria e Financave ka hartuar një strategji dhe po zbaton atë, e cila synon uljen e kostos së borxhit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së tij afatmesme, duke qenë aktive në tregjet e huaja të parave si dhe duke tërhequr bankat e zhvillimit me norma atraktive interesi në financimin e veprave të mëdha infrastrukturore, gjë që do fillojë që gjatë 2010. Sipas tij, në Buxhetin 2010 janë parashikuar kontigjenca të mjaftueshme (rreth 1.5% e PBB) për të mundësuar implementimin e tij me siguri të plotë.

Investimet publike

Ministri u shpreh më tej se, edhe për vitin 2010, programohet që investimet publike të jenë sa 8% e PBB pa përfshirë këtu investimet e pushtetit lokal me të ardhurat e veta apo përmes grandeve të pakushtëzuara. Mbajtja e një norme të tillë në investime merr parasysh si nevojën e përshpejtimit të modernizimit të infrastrukturës në të gjithë territorin e vendit për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar ashtu edhe kujdesin për të mbajtur aktivë stimujt fiskalë për ekonominë edhe gjatë vitit 2010. Do të jenë përfundimi i veprave të mëdha të infrastrukturës kombëtare në proces, fillimi i punimeve në akset e mëdha rrugore që janë, përmirësimi i shërbimeve publike dhe modernizimi e informatizimi i tyre, si dhe përmirësimi i infrastrukturës rurale, pjesë e programit të investimeve të vitit 2010.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›