E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: “Protesta e PS-së, rrezik nga A/H1N1”, reagon PS

Autori i Lajmit: Redaksia
Protesta e Partisë Socialiste e planifikuar për datën 20 nëntor përbën rrezik për përhapjen e mëtejshme të gripit të derrit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, kjo protestë përbën rrezik për shkak të grumbullimit që është planifikuar të organizohet, duke i shtuar kësaj dhe faktin që ajo do të zgjasë për tri ditë dhe pjesëmarrësit do të flenë në çadra. Kështu, ministri i Shëndetësisë është shprehur se në këto ditë gatishmëria do të jetë më e lartë. Vetëm pak kohë më parë, ISHP ka bërë të ditur se duhet të evitohet qëndrimi në grupe të mëdha në këtë situatë pandemike. Sipas ministrit të Shëndetësisë, gjendja aktuale është e vështirë, pasi kemi një kombinim të gripit të derrit me virusin sezonal, i cili po shfaq komplikacione të rënda. Por ky koment i Vasilit ka sjellë reagimin e menjëhershëm të PS-së, e cila nuk e ka kursyer ironinë. “Të zënë në hallin e frymës opozitare që po rritet përditë në Shqipëri, derri e dosa e Qeverisë nxorën derrkucin e vogël të kopesë qeveritare që të trembin protestuesit e nesërm me gripin e derrit. Le të qeshim me këtë përrallë të re të derrit e dosës, që e kanë infektuar qeverinë e Shqipërisë me virusin kërcënues të lirive e të drejtave, për të cilat do të protestojmë fuqishëm nesër. Sot ne jemi më të shumtë e më të vendosur se kurrë për ta shëruar vendin tonë e për ta çliruar shtetin tonë nga ky virus i padurueshëm. Dhe ska kope në pushtet që na zmbraps në rrugën tonë të drejtë e të pakthyeshme”, - tha zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›