E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dunga: Anglezë, mësoni të dribloni

Trajneri i Brazilit, Karlos Dunga, ka paralajmëruar Anglinë se duhet të mësojë të driblojë, nëse dëshirojnë të kenë ndonjë shans për të triumfuar në Kupën e Botës 2010. "Tre Luanët" e drejtuar nga Fabio Kapelo humbën 1-0 në miqësoren e luajtur me "seleçaon" në Doha, por përveç rezultatit, ajo që ra në sy ishte fakti se ata asnjëherë nuk u ngritën në nivelin e lojës së amerikanojugorëve. Mungesat e yjeve të skuadrës si Frenk Lampard, Xhon Terri, Stiven Xherard dhe Rio Ferdinand nuk mund të shërbejnë si justifikim për mungesën e forcës në fazën ofensive, ku kapiteni Uejn Runi dhe sulmuesi Darren Bent as që nuk iu afruan portës. Kapelo i kritikoi të tijtë se ishin shumë të ngadaltë në qarkullimin e topit, ndërsa Dunga theksoi se britanikët duhet të ndryshojnë stilin e futbollit, nëse dëshirojnë të përmirësohen. "Nëse Anglia nuk arriti të kalonte mbrojtjen tonë, atëherë mendoj se ata duhet të mësojnë të driblojnë", deklaroi trajneri brazilian. "Megjithatë, ata luanin me 11 lojtarë në fazën difensive dhe e kanë të qartë sa e vështirë është të kalosh mbrojtësit kundërshtarë". Gjithsesi, 46-vjeçari nuk harroi të theksonte ndryshimet tek Anglia me Fabio Kapelon: "Natyrisht që kanë ndryshuar. Vazhdojnë të mbeten një skuadër agresive, por kanë edhe shumë cilësi të tjera".

Cilësi, të cilat ishin të vështira të evidentoheshin në miqësoren e së shtunës. Mbrojtja angleze u shfaq kompakte në disa raste, por bëri edhe gabime, si në rastin e golit të Nilmar, i cili i shpëtoi mbulimit të Apson dhe Braun, si edhe kur portieri Ben Foster shkaktoi 11-metërsh (i humbur nga Luis Fabiano) ndaj Nilmar, pas një shpërqendrimi të Ues Braun. "Nuk e nisëm mirë lojën, por në pjesën e parë përgjithësisht u mbrojtëm mirë", theksoi Kapelo. "Megjithatë, skuadra nuk kishte shumë besim në lojën e saj dhe ishim të ngadaltë në qarkullimin e topit. Kjo e bënte të pamundur që të gjenim hapësira dhe të shfaqeshim të rrezikshëm përpara portës së Brazilit, edhe sepse ata e rikuperonin shumë shpejt topin. Miqësorja më shërbeu për të kuptuar disa gjëra dhe për të testuar lojtarët. Dua të theksoj se ishte hera e parë që luaja kundër një skuadre kaq të fortë fizikisht, të shpejtë dhe mjaft teknike. Brazili është ndryshe nga Spanja. Ata jo vetëm që janë teknikë, por mbrohen edhe shumë mirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›