Rikuperohet Kristi Vangjeli, gati për derbin me PAOK
Kristi Vangjeli është rehabilituar plotësisht pas dëmtimit në gju, të pësuar në fillim të shtatorit. Mbrojtësi 24-vjeçar i Kombëtares u lëndua në stërvitje, pas një kontakti me mbrojtësin Andi Lila, vetëm pak ditë përpara ndeshjes së barazuar 1-1 me Danimarkën më 9 shtator. Tashmë, kur kanë kaluar afro dy muaj e gjysmë nga ajo përplasje e pafat, Vangjeli duket sërish në gjendje të rikthehet në fushat e lojës. Ai ka filluar të stërvitet normalisht me skuadrën dhe pritet të jetë i gatshëm për derbin e fundjavës, ku Arisi i Selanikut do të luajë me PAOK-un. Gjithsesi, vendimi përfundimtar për aktivizimin e lojtarit kuqezi varet vetëm nga trajneri Hektor Raul Kuper. Pas konsultave finale me stafin mjekësor, argjentinasi do të zgjedhë nëse do ta përdorë Vangjelin në këtë përballje të ndezur. Shqiptari luan që prej vitit 2002 në klubin e Selanikut, ku cilësohet si një prej pikave më të forta të skuadrës.
e. k.
e. k.