E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala dhe Hanover i japin lamtumirën Enkes

Hanoveri i ka dhënë lamtumirën e fundit në një ceremoni mallëngjyese portierit Robert Enke, i cili u vetëvra në moshën 32-vjeçare, duke u hedhur poshtë trenit. Plot 45 mijë persona ishin të pranishëm në "AWD Arena", mes të cilëve shumë eksponentë të botës së politikës dhe të sportit. Ceremonia mortore ka nisur me një kuartet me harqe, ndërsa pak çaste më parë lojtarët e skuadrës së Bundesligës I, por edhe ata që janë kontingjent i Kombëtares shqiptare, kanë vendosur kurora me lule rreth arkivolit, i cili u vendos në qendër të fushës. Në lamtumirën për "gardianin" nuk kishte si të mungonte mesfushori shqiptar Altin Lala. 3-vjeçari kuqezi, së bashku me Hano Baltish, Jiri Shtajner, Stiven Çerundolo dhe dy punonjës të klubit, ka mbajtur arkivolin me trupin e pajetë. Lala dhe Enke kanë qenë mjaft miq, madje në fund të sezonit 2007-2008, kavajasi kishte rënë dakord me klubin që t‘i linte shiritin e kapitenit pikërisht portierit.

Ceremonia është bërë edhe më prekëse, kur në fund, lojtarët e Hanoverit hynë në fushë dhe u rreshtuan në dy radhë, për të përshëndetur kalimin e ish-shokut të tyre të skuadrës. Pak kohë më pas, në momentet kur në një monitor të madh paraqitej fotografia e Enkes, u vendos edhe kënga "You‘ll never walk alone". Lamtumira e fundit për Robert Enken u transmetua drejtpërdrejt nga disa televizione gjermane, pasi kjo ishte një ngjarje tronditëse për të gjithë vendin. Përcjellja për në banesën e fundit u zhvillua dje, në një ceremoni private në "Empede", një zonë në periferi të Hanoverit, në afërsi të banesës ku jeton familja dhe ku prej disa vitesh prehet Lara Enke. Vajza e ish-portierit, e cila u nda nga jeta në vitin 2006 vetëm kur ishte 2 vjeçe, vuante nga një deformim kardiak.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›