U-19 vazhdon të zhgënjejë, humbet 2-0 edhe me Irlandën
Përfaqësuesja Under-19 ka pësuar humbjen e dytë në Grupin 1 kualifikues që po zhvillohet në San Marino për Europianin e kësaj moshe. Në stadiumin "Montekio", skuadra e drejtuar nga Ramadan Shehu u mposht me rezultatin 2-0 nga Irlanda. Përpara fillimit të eliminatoreve, objektivi ishte që me këtë kundërshtar të arrihej të paktën një barazim, por verdikti i fushës ishte krejt tjetër. Kuqezinjtë kanë rezistuar përgjatë gjithë pjesës së parë, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 56-të të takimit. Doran kaloi irlandezët në avantazh, pasi ka ekzekutuar me saktësi një penallti të akorduar nga gjyqtari. Për Shqipërinë gjithçka është vështirësuar nga dalja me karton të kuq e Alvaro Bishajt. Në inferioritet numerik, 19-vjeçarët e Shehut jo vetëm që nuk arritën të barazonin shifrat, por në të 84-ën pësuan edhe golin e dytë. Kjo ishte humbja e dytë për skuadrën tonë në këto eliminatore, pas asaj 5-0 të regjistruar tri ditë më parë me Italinë. Shqipëria vazhdon të jetë në kuotën e zero pikëve, ndërkohë që ka shtatë gola të pësuar dhe asnjë të shënuar. Sfida e fundit në grup do të luhet më 18 nëntor, kundër organizatorëve të San Marinos, dhe ajo është një shans i mirë për të mos e mbyllur aventurën pa asnjë pikë.
e. k.
e. k.