Duo shqiptaro-kroate në Akademinë e Arteve
Një duo shqiptaro-kroate do të ngjitet në skenën e Akademisë së Arteve në datën 12 nëntor, ora 19.00, në kuadrin e koncerteve klasike. Pianistja kroate, Tamara Jurkiç Sviben, dhe violonçelisti shqiptar Pjetër Guralumi, do të interpretojnë pjesë nga Ziga Hirschler (1894-1941), Bashkim A. Shehu, Bozidar Kunc, Gaspar Cassado, Dimitij Schostakovich. Pjetër Guralumi ka lindur në Tiranë në një familje me traditë në fushën e muzikës, ku dhe ka marrë mësimet e para nga babai i tij, Mateo Guralumi. Ka vazhduar studimet për Violonçel pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në klasën e të mirënjohurit prof. Gjergj Antoniu, ku u diplomua më 1990-n. Pas disa specializimesh, merr pjesë si solist dhe në përbërje të ansambleve të muzikës së dhomës, duke i dhënë një rëndësi të veçantë jo vetëm repertorit tradicional, por edhe atij bashkëkohor shqiptar e europian. Tamara Jurkiç Sviben është pianiste kroate e diplomuar më 1995-n. Që nga viti 1992 ka luajtur si soliste në ansamble të muzikës së dhomës në festivale të ndryshme kroate me një repertor që fillon nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.