Laçi, me nëntë futbollistë i rrëmben 1 pikë Flamurtarit
Edhe sfida e dytë e kësaj të diele, ajo mes Flamurtarit vendas dhe Laçit udhëtues, e zhvilluar në Vlorë, nuk ka mundur të shkojë më tej se një barazim pa gola (0-0). Ky rezultat ka bërë që të dy skuadrat të ndajnë mes tyre nga një pikë dhe të ruajnë pozicionet e tyre në tabelën e renditjes në kuotën e 9 pikëve në vendet 10 dhe 11. Një pjesë e parë e zhvilluar nën nivel, ku të dyja skuadrat thuajse nuk kanë dhuruar asgjë për të merituar më shumë. Ranë në sy vetëm përpjekjet e talentit Roshi, i cili ka bërë disa depërtime nga e majta e sulmit vlonjat, por në asnjë moment nuk mundi të shërbente mirë për shokët e skuadrës. Pjesa dërmuese e lojës është luajtur në mesfushë, ku ka pasur një mbipopullim me lojtarë të të dyja ekipeve, të cilat më shumë se për të kërkuar ndryshimin e rezultatit, duket sikur kishin zgjedhur të mos pësonin gol në këtë 45 minutësh. Thuajse e njëjta tablo është parë edhe në pjesën e dytë, ku vlonjatët ishin pak më agresivë, nuk mundën të zhbllokonin rezultatin, edhe pse skuadra laçiane e drejtuar nga Stavri Nica e përfundoi takimin me nëntë lojtarë pas largimit më karton të kuq të Mustafaraj (66‘) dhe kapitenit Brahja (78‘). Ky ishte barazimi i tretë rresht i Flamurtarit pas atyre me Apoloninë (1-1) dhe Shkumbinit (1-1). Laçi nga ana e tij regjistroi barazimin e dytë në transfertë në gjashtë takime në transfertë.
A. Manallari
A. Manallari