E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durim Hushi: Të rendim drejt së ardhmes dhe jo kah e kundërta

16-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati për Bashkinë e Elbasanit, z. Durim Hushi, përballë qytetarëve të Elbasanit shpalosi platformën e tij elektorale, duke theksuar se sfida më e madhe që ai ka në këto zgjedhje është sfida për një të ardhme më e mirë se ajo e katër viteve të shkuara.
“Sfida e 8 majit nuk është mes meje dhe jush, as mes meje dhe rivalit tim. Është sfida e së ardhmes tonë që po na afrohet me shpejtësinë e autostradës Elbasan-Tirane. Me vrullin e kampusit studentor, qytetit të ri të rinisë elbasanase. Sfida jonë është sfidë ndaj atyre qe duan te bllokojnë të ardhmen. Në katër vitet që po lëmë pas kundërshtari ynë ka mbetur në trafikun e konfuzionit, rrëmujës, mjegullës. Ai dëshiron që t’ju mbajë dhe ju në qerren e trafikut të tij. Por ne na duhet të shpejtojmë. Dhe do të shpejtojmë. Rrugët po hapen, kush voton për ne ecën përpara. Ne nuk mund te biem ne gjumin që po don të na veje kryetari aktual i bashkisë. Ne nuk do t’i harxhojmë paratë për parazitët e zyrave, por për projekte që do paraprijnë zhvillimet që po vijnë. Elbasani nuk mund të ecë me dy shpejtësi. Nuk ka dy korsi për qytetin tonë. Ka vetëm një. Atë të parakalimit të konfliktit, destabilitetit dhe shantazheve të opozitës. Propozimi im është ky: të rendim drejt së ardhmes dhe jo kah e kundërta. Për të shkuarën të japin llogari ata që kanë fjetur në bashkinë e Elbasanit për jo pak por për 4 vjet”, deklaroi kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi.
Duke folur për rivalin e tij në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Hushi tha se, “ai ka mësuar shumë gjëra nga unë. Po i jap një leksion të fundit: Qazim Sejdini, për mua do të votojnë dhe të gjithë ata qytetarë elbasanas që e duan vendin e tyre më shumë se partinë. Humbja jote Qazim Sejdini, është e pashmangshme”, theksoi ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Hushi premtoi se në këto zgjedhje do të dalë fitimtarë, jo për veten e tij, por për Elbasanin.
“Do fitoj për t’i kthyer krenarinë elbasanasve. Do fitoj për t’u dhënë një jetë dinjitoze qytetarëve të qytetit tim”, mbylli fjalimin e tij gjatë mitingut të çeljes së fushatës elektorale, për bashkinë e Elbasanit, kandidati Durim Hushi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›