“Shqipëria, dhe Korça mbi të gjitha, më 8 maj do t’i thonë ‘jo’ politikës bllokuese”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta prezanton në Korçë kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Andrea Mano
“Kryebashkiaku i ardhshëm Andrea Mano është intelektual me vizionin e duhur për ta çuar Korçën përpara, duke i ruajtur njëkohësisht asaj edhe fytyrën tradicionale, sepse detyra e kryebashkiakut nuk është të firmosë leje ndërtimi, por të qeverisë drejt dhe në mënyrë të paanshme qytetin, dhe tek Andrea Mano ekzistojnë vizioni dhe fryma për ta bërë këtë”.
Kështu u shpreh dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një mitingu të zhvilluar në Korçë, ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Andrea Mano.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Meta tha se 8 maji do jetë festë për demokracinë në Korçë, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
“Le ta kthejmë 8 majin në një festë për demokracinë në Korçë, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Le ta kthejmë 8 majin në një ditë ku qytetarët votojnë për të ardhmen e tyre, ku qytetarët votojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Dhe jam shumë i bindur që ‘Aleanca për Qytetarin’ do të korrë një fitore të sigurt në qytetin e qytetarisë në qytetin e Korçës tuaj të dashur për ju dhe për të gjithë shqiptarët. Ndaj jam i bindur se me 8 Maj Korça do të votojë për këtë forcë politike e cila ka kontribuar dhe kontribuon gjithnjë për integrimin e Shqipërisë dhe jo për izolimin e saj”, u shpreh Meta.
Sipas tij, në 8 Maj Korça do të votojë për një projekt të përbashkët të “Aleancës për Qytetarin” këtu në Korçë.
“Ky projekt i ‘Aleancës për Qytetarin’ përfaqësohet me një emër shumë të nderuar dhe një intelektual të spikatur të qytetit të Korçës, Andrea Mano i cili është njëkohësisht është kandidati i Lëvizjes socialiste për integrim dhe ne i i shprehim sot mbështetjen tonë më të plotë pasi projekti i Andrea Manos për Korçën ka në radhë të parë mbrojtjen dhe ruajtjen e Korçës së vërtetë, të traditave të saj duke zhvilluar njëkohësisht qytetin por kurrsesi pa cenuar Korçën dhe vlerat historike, muzeale, kulturore sikurse ka ndodhur me projektin e betonizimit i cili do të dështojë edhe në Korçë më 8 Maj. Unë jam i bindur se anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke votuar për Andrea Manon si kryebashkiak i qytetit të Korçës më 8 Maj, kanë votuar për një projekt të përbashkët, bashkëqeverisje për Bashkinë e Korçës, kanë votuar që më 9 maj qytetarët korçarë të mos ndihen të ndarë në llogore politike. Këto zgjedhje janë për qytetarin, këto zgjedhje nuk janë për politikën. Por sikurse e dimë ka një forcë politike që kërkon ti paraqesë këto zgjedhje më 8 maj si politike. Ka një forcë politike, që u bën thirrje qytetarëve të Korçës që të votojnë këtu për përfaqësuesin e saj politik që i kërkon votat e Korçës jo për të zgjidhur problemet e qytetarëve korçarë por për të përdorur Bashkinë e Korçës për luftë politike sikurse këtë kërkojnë ta bëjnë dhe në bashki të tjera të vendit”, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Ai deklaroi gjithashtu se ky koalicion që po qeveris vendin dhe që do të fitojë zgjedhjet e 8 majit, ka treguar se di të arrijë rezultate madhështore në zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë. “Koalicioni i pas 28 qershorit në vitin e parë të tij, arriti objektivin më madhor afatshkurtër që ishte liberalizmi i vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë, që ka qenë një objektiv tepër i vështirë për shkak të kushteve të shumta e të panumërta që duhet të përmbusheshin”, tha Meta, duke e konsideruar heqjen e vizave, si një proces që erdhi pas reformave spektakolare të qeverisë Berisha.
Në përfundim, ai ftoi të gjithë qytetarët e Korçës që të mbështesin projektin e kandidatit “Aleanca për Qytetarin”, Andrea Mano, pasi ai është kryebashkiaku dinjitoz për Korçën dhe qytetarët e saj.
Andrea Mano: T’i kthejmë Korçës shkëlqimin e humbur prej vitesh
Gjatë përshëndetjes së kësaj mbështetje kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Andrea Mano u shpreh se në “’Aleancën për Qytetarin’ është krijuar fryma që së bashku të bëjmë punë të mëdha, t’i kthejmë Korçës shkëlqimin e humbur prej vitesh. Së bashku ne do t’ja dalim me sukses të hapim ndërtesën e bashkisë dhe t’ia kthejmë qytetarit duke e bërë qytetit një Korçë për të gjithë”, u shpreh kandidati demokrat, i mbështetur nga koalicioni i madh, “Aleanca për Qytetarin”, Andrea Mano.