Duro-Bizhdili, rilind dashuria. Trajneri kthehet sërish te Besa
Shpëtim Duro rikthehet në krye të stolit të Besës. Ndërmjet trajnerit dhe presidentit të kavajasve, Nexhat Bizhdili ka rilindur “dashuria”. Akuzat për kompromis në ndeshjen e përfunduar në barazim 1-1 me Tiranën u “harruan”, deklaratat e bujshme të kreut të klubit verdhezi u hodhën pas shpine dhe qëllimi i përbashkët është rivendosja e qetësisë në skuadër, kur mungojnë vetëm pak orë nga finalja e Kupës së Shqipërisë, ku si kundërshtar qëndron Vllaznia. Pas bisedave që Bizhdili ka zhvilluar me lojtarët, nga të cilët ka marrë siguri se Duro nuk ishte fajtor, që u shoqërua me sqarimin ndërmjet palëve, tekniku rimori kontrollin e ekipit dhe u kthye zyrtarisht në stërvitje. Duro shprehet i lehtësuar për përfundimin pozitiv të çështjes ku u akuzua se ai kishte rënë dakord në dhomat e zhveshjes me kolegun Sulejman Starova (trajnerin e Tiranës), që ndeshja të mbyllej në barazim. Gjithashtu, ai nuk mund ta fshehë kënaqësinë që ka shansin t’i dhurojë Besës një trofe në këtë sezon, pasi i shndërroi kavajasit në një skuadër pretendente. “Pas bisedave që presidenti zhvilloi me lojtarët dhe takimit me mua, gjithçka u sqarua. Unë fillova stërvitjen me ekipin dy ditë pas atij keqkuptimi”, konfirmoi ish-ndihmësi i Oto Bariç në përfaqësuesen shqiptare. “Natyrisht, më vjen mirë që ky problem u sqarua dhe u kuptua se unë nuk kisha asnjë lidhje me ato që u përfolën. Ndeshja me Tiranën ishte një garë e vërtetë, e cila për vetë rivalitetin e pranonte edhe rezultatin në barazim dhe kjo nuk është ndonjë dramë. Jam i lumtur që do të drejtoj skuadrën në finale, këtë ekip në të cilin kam punuar gjatë gjithë sezonit dhe që me kontributin e të gjithëve, tashmë ka shansin të fitojë një trofe të rëndësishëm”.
Me lojtarë si Shehi, Vrapi, Mancaku, Sinani apo Daniel Xhafaj, Besa e këtij edicioni ishte një skuadër e ndërtuar për të pretenduar titullin kampion. Por, kavajasit duhet të kënaqen vetëm me Kupën e Shqipërisë, trofe të cilin e kanë fituar vetëm një herë më parë, në vitin 2007. Në anën tjetër, kjo do të jetë finalja numër 13 për Vllazninë, që e ka fituar në 6 raste Kupën. Për trajnerin Shpëtim Duro, finalja do të luhet të dielën në orën 20:30 në stadiumin “Qemal Stafa”, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren, si të vetmen rrugë për ta quajtur sezonin të suksesshëm. “Do të bëjmë të pamundurën për ta fituar Kupën, pasi një skuadër si Besa dhe tifozeria kavajase e meritojnë një trofe. Nuk jemi rastësisht në finale: kemi një kontingjent cilësor, që ka shanse të mira të triumfojë. Gjithsesi, e kemi të qartë që sfida me Vllazninë nuk do të jetë e lehtë, pasi shkodranët janë një ekip me traditë, që do të bëjnë të pamundurën për të fituar”, përfundoi trajneri verdhezi.
#