E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos kurdisni

Ministri i Sportit, Lutfi Haziri ka pranuar se procesi i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar ka ngecur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Andaj, ai ka paralajmëruar se kjo ministri do ta ndryshojë politikën e saj me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi, i cili, sipas Hazirit, është prioriteti kryesor i ministrisë që ai e menaxhon.

Por, Haziri ka shprehur një brengë të madhe të tij, pasi sipas tij, në sportin kosovar janë prezentë shumë dukuri negative të cilat në fakt e pengojnë shumë ndërkombëtarizimin e sportit.

Haziri tha se në sportet kolektive të Kosovës, si në futboll, basketboll, hendboll, etj, ka kurdisje të rezultateve të ndeshjeve të cilën dukuri ai e quajti pazar i pleshtave.

“Do të ndryshojë politika karshi ndërkombëtarizimit. Për mua nuk është peng politik ndërkombëtarizimi i sportit, por është problem legal. Ne do t’i kontaktojmë drejtpërdrejt asociacionet sportive ndërkombëtare dhe do tu dëshmojmë ndërkombëtarëve, si me Majlinda Kelmendin, se kemi njerëz të suksesshëm për të garuar në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Haziri të martën.

“Kjo do të bëhet për dallim me atë që ndodh me kurdisje, marrëveshje dhe pazarin e pleshtave që e bëjnë disa liderë të klubeve kosovare, fatkeqësisht në këtë kohë kur standardet në sport janë jashtëzakonisht rigoroze dhe shtetet e mëdha si Spanja, Italia etj, me skandale të tilla kategorizohen me largime, eliminime, burgosje, sepse janë probleme serioze”, shtoi ai.

Haziri kujtoi se manipulimet me sport, sipas Kushtetutës së Kosovës, janë vepra penale, andaj ai paralajmëroi se do të jetë i pakompromis në eliminimin e dukurive të tilla.

“Unë do të jem i pakompromis në luftën ndaj këtyre dukurive, sepse ato e njollosin Kosovën, sepse ndërkombëtarët na monitorojnë. Jemi të etur për të garuar në arenën ndërkombëtare. Ka ardhur koha që fillimisht ta rregullojmë shtëpinë tonë ashtu siç duhet, e më pas do të kalojmë në arenën ndërkombëtare”, tha Haziri.

Ai tregoi se ka kërkuar nga krerët e federatave sportive kosovare që nga edicioni i ri garues të vendosin rregulla dhe standarde në gara ashtu siç duhet dhe detyrimisht të zbatohen ato. Në të kundërtën, Haziri tha se Ministria do të jetë e detyruar të ndërhyjë në federatat sportive. “Ministria nuk do të ndërhyjë në politikat e federatave, deri në atë pikë kur ne e vlerësojmë si vepër penale”, pohoi ai.

Ndërkohë, njeriu numër një i kësaj ministrie tha se do të jetë mbështetësi i fuqishëm i komunitetit sportiv, duke premtuar se shumë shpejt do të rregullohet Ligji i sportit dhe ai për Sponsor.

Haziri shpreson në Olimpiadën Londra 2012

Ministri i Sportit, Lutfi Haziri ka thënë se po punohet rreth pjesëmarrjes së mundshme të Kosovës në Lojërat Olimpike që mbahen në Londër në vitin 2012, edhe pse Komiteti Olimpik i Kosovës ende nuk është anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Haziri tha se ministria e tij në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe atë të Britanisë së Madhe do të bëjnë çmos që Kosova të marrë pjesë në këtë olimpiadë, ndonëse, sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do ta thotë fjalën e fundit.

“Britania është një përkrahëse e Kosovës dhe për fat të mirë është organizatore e Olimpiadës 2012. Ne duhet të punojmë me Komunitetin Olimpik Ndërkombëtar shumë dhe me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që mund të ndikojnë. Atje ka rregulla dhe gara përcjellëse për të marrë pjesë. Ne nuk mund të marrim pjesë me akte politike, por me gara. Kandidati i parë i mundshëm nga Kosova mund të jetë Majlinda Kelmendi”, tha Haziri.

Pak javë më parë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Andrew Sparkes i kishte premtuar Hazirit se shteti i tij do të lobojë rreth pjesëmarrjes së Kosovës në këtë olimpiadë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›