Tottenhami luan në Ligën e Kampionëve

Me fitoren minimale prej 1-0 kundër rivalit direkt për vendin e katërt Manchester City, Tottenham Hotspur ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, një javë pa përfunduar Premier Liga.
Ndeshja që nga fillimi ishte tejet e shpejtë me sulme si në njërën ashtu dhe në anën tjetër, por me një dominim të lehtë të Manchester Cityt në fillim. Sidoqoftë, në pjesën e parë portat mbetën të patundura.
Në pjesën e dytë Tottenhami pati rastet më konkrete për shënim. Adebayor mund të konsiderohet dështim i mbrëmjes, pasi që nuk ishte aspak i gjallë në zonën e Tottenhamit.
Gjumin e thellë të sulmuesve të Manchester Cityt e shfrytëzoi njeriu i ndeshjes, Peter Crouch, që në rastin e tretë ideal shënoi për 1-0 dhe rezultatin përfundimtar pas një harkimi në zonë nga Kaboul (83').
Manchester City ishte i pafuqishëm për të bërë diçka më tepër në këtë sfidë, duke ua dhënë mundësinë futbollistëve të Tottenhamit ta shijojnë Ligën e Kampionëve, pasi me katër pikë më shumë se City një javë para fundit të Premier Ligës, Spursat edhe matematikisht e sigurojnë vendin e katërt.