E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haziri mbështet Kelmendin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe i Sporteve (MKRS), Lutfi Haziri të premten e ka pritur xhudisten e suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendi dhe krerët e Federatës së Xhudos të Kosovës (FXHK).

Ministri Haziri gjatë këtij takimi i ka premtuar mbështetje institucionale kampiones botërore, Majlinda Kelmendi. Njëherësh, Haziri e ka lavdëruar punën e drejtuesve të Federatës së Xhudos të Kosovës (FXHK), për të cilët tha se kanë merita të mëdha në sukseset që Kelmendi po i arrin në arenën ndërkombëtare.

“Pritja për Majlindën e ka kuptimin e mbështetjes. Kjo do të ndodhë edhe për sfidën e ardhshme të saj në Tunizi. Qeveria e Kosovës do t’i rrijë mbrapa agjendës së Majlindës. Unë e çmoj angazhimin dhe punën e palodhshme që e kanë bërë drejtuesit e Federatës së Xhudos në këto 20 vitet e fundit, në krijimin e sportistëve të denjë, siç është Majlinda Kelmendi”, ka deklaruar Haziri pas këtij takimi.

“Majlinda është simbol i suksesit, simbol i konkurrencës dhe mbi të gjitha është simbol i fitores. Unë shpresoj se Majlinda shumë shpejt do t’i ketë titujt, do të ketë mbështetje institucionale dhe do ta ketë statusin e vet”, theksoi Haziri.

Ai potencoi se përveç Kelmendit, edhe ish-sportistët e tjerë të famshëm që i kanë sjellë medalje Kosovës shumë shpejt do të kenë përkujdesje të veçantë institucionale.

Në anën tjetër, Kelmendi e ka falënderuar ministrin Haziri për pritjen, duke mbetur me shpresë që mbështetja e kësaj ministrie nuk do t’i mungojë gjatë së ardhmes.

“E falënderoj ministrin për mirëpritjen që ma bëri. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kem mbështetjen e tij, sepse kjo më nevojitet më së shumti”, tha Kelmendi.

Ndërsa, edhe kryetari i FXHK-së, Agron Kuka dhe trajneri i Kelmendit, Driton Kuka e kanë falënderuar ministrin Haziri për zotimin e tij se do ta mbështesë këtë federatë gjatë së ardhmes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›