E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Ky Partizan meriton më shumë

Dinamo i rikthen atë që i mori 6 vite më parë Shpëtim Duros. Është kjo zgjidhja e "gjëegjëzës" e zhvillimeve më të fundit në kampionatin shqiptar të futbollit. Gjithçka vërtitet rreth derbit të fundit kryeqytetas dhe personazhit kryesor të tij, Partizanit.

Koincidenca - Gjashtë vite më parë, më 23 mars 2002, ishte pikërisht Dinamo e Farruk Sejdinit (fitonte 0-2), ajo që do t‘i hante "kokën" trajnerit të atëhershëm të të kuqve, Shpëtim Duros. Një batutë e presidentit Albert Xhani, e thënë në atë kohë në një emision sportiv ("Partizanin nuk e mundi Dinamo, por e mundi Shpëtim Duro"), do të detyronte teknikun të largohej nga pankina e skuadrës, e cila nën drejtimin e tij kishte njohur vërtet sukses. Por është sërish Dinamo, ajo që i rikthen "hakun" ish-trajnerit të të kuqve, pasi me fitoren 2-0 këtë të shtunë bëri që Hasan Lika të dorëzohet, të kërkojë dorëheqje të parevokueshme dhe Xhani zgjedh sërish Duron. Te Partizani ishte caktuar si trajner në verën e 2001-shit, pas largimit të Neptun Bajkos dhe bullgarit Nikolai Arabov. Duro ka mbi shpatulla edhe eksperiencën me përfaqësueset e moshave (U17, U19). Ndërkohë, në periudhën që kombëtarja kuqezi drejtohet nga kroati Oto Bariç, Duro ka punuar edhe si ndihmës i dytë i tij. Kur iku në 2002-shin nga Partizani, skuadrën e la në vend të tretë, ndërsa tani e gjen në vend të fundit.

Prezantimi - Pasi kishte mbyllur gjithçka në bisedimet me presidentin Xhani në orët e vona të së dielës, dje rreth orës 14.00 Duro ka zbritur në klubin Partizani, ku është prezantuar si trajneri i ri i të kuqve. Nuk ka bërë premtime, pasi tashmë të gjithë e kanë të qartë gjendjen në të cilën është skuadra, por ka theksuar se do të japë më të mirën për ta ndryshuar sa më shumë atë. "Pranova ftesën e presidentit Xhani, sepse jam trajner dhe sepse kam qenë pjesë e Partizanit", tha ai. "Objektivi në këtë moment është që të dalim nga gjendja e vështirë. Grupin e lojtarëve e njoh, nuk mund të them se nuk e kam ndjekur Partizanin, kam shpresë se do të jemi më lart se ku jemi tani". I pyetur për gjendjen financiare në klubin e futbollit, Duro e anashkaloi, duke u përgjigjur se "kjo nuk është një pyetje së cilës mund t‘i përgjigjem unë". Gjithsesi, pas ndryshimit të trajnerit, problemi i "pashprehur" hapur nga drejtuesit e Partizanit, por edhe më i madhi mbetet ana financiare.

Tifozët - Ndryshimi i trajnerit është pritur mirë nga tifozët, por ata nuk janë aspak të bindur se ky ndryshim është i mjaftueshëm për të rikthyer Partizanin e dëshiruar. Reagimin e tyre e kanë bërë të njohur menjëherë pas emërimit të trajnerit të ri të të kuqve. "Se ka fajin trajneri", thonë tifozët pas prezantimit të Duros, duke mos e hedhur poshtë punën e bërë nga ish-trajneri i larguar tashmë, Hasan Lika. Por ata evidentojnë si problemin kryesor, shkaktar të kësaj krize, mungesën e financave. "Këtu nuk ka lekë, shtojnë më pas. Nuk ka çfarë të bëjë edhe Shpëtim Duro. Partizani është me një këmbë drejt rënies nga kategoria. Duhet të bëjmë protesta", kanë përfunduar reagimin e tyre tifozët e të kuqve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›