Madhëria e saj, Helen
Një grua aventuriere zonja Helen Mirren, aq sa nuk nguron të garojë mbi një motor në një rrugë të rrezikshme, si në filmin "Inkheart", që pritet të dalë në janar. "Gjithmonë më elektrizon ideja se gjendem në një sheshxhirimi, ndaj çdo herë përpiqem të bëj nga një gjë të re". Në film, një trill i jashtëzakonshëm i shkëputur nga romani i Cornelia Funke, Helen Mirren interpreton një dashamirëse të rreptë të librit, që është gati të bëhet pjesë e çdo aventure për të mbrojtur personazhet e librave më të dashur që kanë marrë jetë përmes magjive. Një ide ajo e personazheve që bëhen të vërtetë, e pranishme së fundmi edhe në dy nga romanet e shkrimtarëve më të mëdhenj, Paul Auster dhe Amos Oz. Filmi, në pjesën më të madhe të tij, është xhiruar në Itali. "Regjisori ka gjetur një vend të jashtëzakonshëm dhe shumë të bukur", tregon entuziaste teksa flet për Entracque, një provincë e Cuneo-s, ku zhvillohen shumica e ngjarjeve të filmit. "Nuk mund t‘u besoja syve, ishte njëlloj sikur me magji realiteti i filmit depërtoi edhe në gurët e atij fshati të vogël". E pikërisht vendi ku do të luhej filmi ishte një nga arsyet se përse pranoi të merrte përsipër këtë rol. Një rol që i solli me të vërtetë fat. Kur hyri në sheshin e xhirimeve, Mirren ishte vetëm një aktore e mirë angleze, por kur përfundoi ishte shndërruar në një yll me famë botërore. Gjatë pushimeve erdhi edhe lajmi i kandidaturës si aktorja më e mirë protagoniste e filmit "The Queen" të Stephen Frears, ku interpreton në mënyrë të habitshme brishtësinë dhe forcën e monarkes britanike. "Kam qenë me fat, sepse regjisori më linte të largohesha nga sheshi i xhirimeve sa herë që duhej për përgatitjet e ceremonisë", tregon. Dhe pas një serie vajtje-ardhjesh, aktorja britanike u rikthye sërish, por kësaj here me statujën e artë në duar. E mbante brenda një qeseje plastike, ndërsa gjithë ekipi festonte fitoren e saj. "Isha aq e inatosur, sa nuk flisja me askënd. Nëse ka ndonjë gjë të mirë për të bërë kur kalon gjithë atë çmenduri hollivudiane, është pikërisht fakti që të kesh diçka mbi të cilën të përqendrohesh", tregon me shaka. Edhe pse ka origjinë fisnikeje (babai i saj rrjedh nga një familje aristokratësh, ndërsa emri i saj i vërtetë është Vasilievna Mironov) dhe bëri të pavdekshëm portretin e një mbretëreshe, Helenës nuk i pëlqen diferencimi. Për të, njerëzit janë të gjithë të barabartë. "E urrej konceptin e aristokracisë". Herën e parë që i ofruan një CBE, një titull britanik që e bënte damë, e refuzoi, edhe pse në atë kohë në pushtet ishin konservatorët. Në fakt, të refuzosh një CBE është një modë shumë e përhapur mes aktorëve britanikë, që nuk duan të njohin të kaluarën imperialiste të vendit të tyre. Kur të jepet ky çmim, do të thotë se ke një karrierë të ndritur profesionale, ndërsa kur e refuzon është një shenjë politike dhe kulturore. Në përpjekjen e dytë aktorja pranoi. Ishte viti 2003 dhe qeveria ishte në duart e laburistëve. "M‘u desh një javë e tërë që të mendohesha nëse do ta pranoja apo jo. Fola me kolegët e mi dhe të gjithë mendonin se duhej ta pranoja, por të marrësh letra me adresën ‘Dama Helen Mirren‘ më shkakton një ndjesi të veçantë". Kokëfortë dhe e sinqertë, kështu u përshkrua atëherë, kur vendosi të tregonte për një gazetë se kishte përdorur kokainë dhe kishte hequr dorë jo nga frika e pasojave fizike, por për motive etike. "Kokaina më pëlqente. Nuk përdorja shumë, me raste, nëpër festa. Ajo që më bëri të hiqja dorë, në fillimet e viteve ‘80, ishte lajmi se kishin kapur Klaus Barbie, kasapin e Lionit. Ishte fshehur në Amerikën e Jugut dhe jetonte me paratë e bëra si kapoja i kokainës. Kur e lexova në gazetë, mendova se si lekët që paguaja për dozën time të kokainës përfundonin direkt në xhepat e këtij njeriu të shpifur. Deri më parë nuk e kisha menduar kurrë se si funksiononte struktura që e sillte kokainën deri në festat që bënim ne në Britaninë e Madhe". Gjatë ceremonisë së dorëzimit të titullit fisnik, Karli i Anglisë, i habitur nga fiziku dhe veshja e aktores, harroi t‘i jepte gjysmën tjetër të medaljes. E në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe me 62-vjeçaren, e cila dallohet për sensualitetin e saj, që duket se nuk mplaket me kalimin e viteve e madje sapo është zgjedhur "Most Stylish Woman" në një konkurs ku merrnin pjesë edhe Ketra Knightly dhe modelet Yasmin e Bon, si dhe Agyness Deyn. Në të vërtetë, Helen gjithmonë është ndjerë mirë me fizikun e saj. Pak vjet më parë pranoi të shfaqej nudo në "Calendar girls". Imazhi i saj me bikini, i shkëputur nga pushimet e kësaj vere, tregon një 62-vjeçare të çlodhur dhe të pathyer nga mosha, por mbi të gjitha e gatshme për të ridimensionuar entuziazmin me të cilin fotoja mbërriti në Britani. "Nuk jam unë në atë foto. Ndonjëherë të jesh bionde dhe të kesh gjoks të madh mund të jetë një disavantazh dhe nuk të bën domosdoshmërish inteligjente", pati thënë me shumë natyrshmëri. Për momentin, karriera e saj nuk ka pengesa të asnjë lloji. Helen Mirren është sot aktorja më e mirë britanike, përveçse më e kompletuara dhe më e angazhuara. Mbi shpinë mban mbi 40 vjet karrierë të shpërndarë mes kinemasë, teatrit dhe televizionit. Suksesi i interpretimit të saj i Elizabetës II në filmin "The queen", pasi kishte interpretuar Elizabetën I në miniserialin televiziv me të njëjtin titull, është kurorëzimi i një mundimi të madh, por gjithmonë i parë me kujdes dhe qëndrueshmëri. Ashtu si të gjithë aktorët e mëdhenj anglezë, fillimet e saj janë të lidhura me teatrin. Karrierën e nisi në "Nacional Youth Theatre" dhe më vonë hyri në "Royal Shakespeare Company". Para se të merrte "Oskar"-in, kishte pasur dy nominime, mes të cilave një për artisten më të mirë protagoniste në filmin "Gosford park". Mes planeve për të ardhmen, sërish një rol në teatër. Vendi që i pëlqen dhe dashuron më shumë pas Anglisë? "Është Italia. Salento është një pjesë e mrekullueshme e Italisë, që më entuziazmon pa masë. Me bashkëshortin tim kishim dëshirë të blinim një shtëpi në Itali, por nuk e kishim vendosur se ku, deri sa shkuam atje për herë të parë, në shtëpinë e disa miqve. Ai u dashurua me këtë vend. Italia jugore është e varfër, ka një tjetër psikologji, një tjetër stil jetese, nuk është borgjeze, si për shembull në Toskanë". Na duhet t‘i besojmë, janë fjalët e një "mbretëreshe".