Fatos Klosi: “Birucat e SHIK-ut ishin të lyera me gjak”
Laureta Rryçi
Tiranë - Fatos Klosi, ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, ishte dje dëshmitar në gjyqin për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha. Dëshmia e ish-kreut të Shërbimit Informativ lidhur me ngjarjen e ndodhur më 21 tetor 1995, zgjati më shumë se një orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Vendimi u mor pas kërkesës së vetë dëshmitarit, për shkak të pozicionit që ka pasur dhe prokurorit të çështjes, Xhevat Hana. Për krimin e kryer gati 14 vjet më parë, në bankën e të akuzuarve janë ulur 3-ish ???????SHIK-as dhe gjyqi zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda këtu në Tiranë, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi.
Dëshmia
Ish-kryeagjenti i shërbimit sekret vendas përgjatë gjashtë viteve, Fatos Klosi, e motivoi kërkesën e tij para trupës gjykuese me arsyetimin se nëse do të pyetej për çështje sekrete, ai do të rezervohej nëse gjyqi do të bëhej me dyer të hapura.
Përgjatë një ore, Fatos Klosi shpjegoi se si funksionon Shërbimi Informativ Shtetëror, duke iu përgjigjur gjashtë fletëve me pyetje të prokurorit Xhevat Hana. Burime të besueshme, që ishin në sallë, shpjeguan se çfarë tha Klosi në seancë jo vetëm për mënyrën e funksionimit të SHIK-ut, por edhe kushtet në ndërtesë. Sipas tyre, Klosi, megjithëse nuk ka specifikuar nëse bëhej fjalë për vende të mirëfillta torture, ka pohuar se kur ka marrë detyrën ai ka inspektuar dhomat e shoqërimit të SHIK-ut, që sipas tij, disa ishin biruca pa dritare dhe mbante mend se muret e tyre ishin të lyera me gjak. Klosi i është përgjigjur prokurorit duke i thënë se për çështjen e shoqërimit të Remzi Hoxhës, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopullit nuk ka gjetur asnjë dokument, pavarësisht se ishte interesuar për këtë çështje menjëherë sapo kishte marrë detyrën. Por ai ka shtuar se sipas Ligjit 91, në bazë të të cilit SHIK-u funksiononte, nuk mundet që agjentët e vëzhgimit të shoqërojnë shtetas apo t’i pyesin ata, pasi ata veprojnë në ilegalitet dhe ka struktura të tjera që i shoqërojnë.
Por sipas Klosit, çdo veprimtari që shërbimi sekret ndërmerr, drejtuesi i saj është në dijeni, duke lënë kështu të nënkuptohet se të ndjerit Bashkim Gazidede i është raportuar mbi operacionin sekret vendas për shoqërimin e tre shtetasve.
Dokumentet
Burimet brenda seancës bënë të ditur se Klosi është shprehur se kur ishte vendosur në krye të SHIK-ut nuk kishte gjetur asnjë dokument që mund të implikonte të pandehurit në zhdukjen e Remzi Hoxhës. Më pas ai kishte shtuar se kishte ngritur një grup pune për çështjen, por nuk ishte verifikuar asgjë. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-shikasve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Mes dëshmitarëve në këtë proces ishte edhe gjenerali Agim Shehu, ish-drejtor Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njëkohësisht ish- zëvendësministër i Brendshëm.
4 Shkurt 2009